Tiranë, zhvillohet konkursi "Ura e gjuhës kineze"

2018-05-21 14:48:33 CRI Komenti juaj Printoni

Më 17 maj u zhvillua në Tiranë finalja për Shqipërinë e edicionit të 17-të të konkursit ndërkombëtar "Ura e gjuhës kineze".

Veprimtaria u zhvillua bashkërisht nga Zyra Kombëtare e Gjuhës Kineze, Instituti "Konfuci" pranë Universitetit të Tiranës dhe Ambasada e Kinës në Shqipëri. Të pranishëm në këtë veprimtari ishin afro 200 veta, duke përfshirë edhe ambasadoren kineze Jiang Yu, këshilltarin politik Bai Yunbin, rektorin e Universitetit të Tiranës Mynyr Koni, zv.rektorin Bernard Dosti, drejtorin e palës kineze të Institutit "Konfuci" pranë Universitetit të Tiranës Huang Qiang, drejtorin e palës shqiptare Erion Malaj, përfaqësuesit e institucioneve dhe kompanive kineze në Shqipëri dhe studentët e pedagogë të Institutit "Konfuci".

Në natën finale, 10 pjesëmarrësit finalistë konkurruan nëpërmjet prezantimit të vetes e mbajtjes së fjalimeve, pyetjeve e përgjigjeve, shfaqjes së talentit të tyre artistik etj. Rreth temës së "Urës së gjuhës kineze" për sivjet: "Tërë bota është një familje", pjesëmarrësit në konkurs mbajtën fjalime plot pasion me një kinezishte të shkëlqyer. Ata shfaqën njohuritë dhe dashurinë e tyre për qytetërimin kinez nëpërmjet pyetjeve e përgjigjeve mbi kulturën kineze, kërcimit, këngëve, pikturës, recitimit të poezive kineze etj. Në fund, studentja e Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, Anisa Sulaj, u shpall fituese falë të folurit të lirshëm në gjuhën kineze e kërcimit plot gjallëri. Imelda Nasja, studente e inxhinierisë së mjedisit në Universitetin e Tiranës, zuri vendin e dytë. Ato do të përfaqësojnë Shqipërinë në finalen e përgjithshme të konkursit "Ura e gjuhës kineze" në Kinë.

Drejtori shqiptar i Institutit "Konfuci" Erion Malaj shprehu shpresën e tij se të gjithë studentët e këtij instituti do të vazhdojnë të punojnë më shumë, të mësojnë kinezisht më mirë dhe të shërbejnë si ambasadorë për kulturën dhe miqësinë midis Kinës dhe Shqipërisë.

Ambasadorja kineze Jiang Yu u dorëzoi çmimet fituesve. Ajo theksoi se konkursi nuk është vetëm një vitrinë për gjuhën dhe kulturën, por edhe një platformë për të rinjtë e të dy vendeve për të thelluar mirëkuptimin dhe ndërgjegjësimin e ndërsjellë. Miqësia midis Kinës dhe Shqipërisë po rritet në mendjet e brezave të rinj në të dy vendet. Ambasadorja Jiang tha gjithashtu se tema "Tërë bota është një familje" e këtij konkursi mishëron filozofinë tradicionale kineze sipas së cilës, nëse çdo komb paraqet bukurinë e vet kulturore tradicionale, atëherë do të kemi një botë shumë të larmishme, sepse bota është e pasur dhe e gjallë pikërisht për shkak të shkëmbimeve midis qytetërimeve të ndryshme. (Vera/ Xu Guang/ Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore