Trump takon zv./kryeministrin kinez Liu He, të dërguarin e posaçëm të Xi Jinping-ut

2018-05-18 09:06:29 CRI Komenti juaj Printoni

Presidenti amerikan Donald Trump u takua të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë me të dërguarin e posaçëm të presidentit Xi Jinping, Liu He, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së, zv.kryeministër dhe përfaqësues i palës kineze në dialogun e gjithanshëm ekonomik kino-amerikan, i cili ndodhet për një vizitë në ShBA.

Gjatë takimit, z. Liu u përcolli presidentit Trump dhe Zonjës së Parë Melania Trump përshëndetjet e ngrohta nga presidenti Xi Jinping dhe bashkëshortja e tij, prof. Peng Liyuan. Presidenti Trump falënderoi për këtë dhe kërkoi z. Liu t'i dërgojë përshëndetjet e tij presidentit Xi dhe zonjës së tij.

Liu He u shpreh se, nën udhëheqjen e liderëve të të dy vendeve, marrëdhëniet kino-amerikane kanë bërë përparim të rëndësishëm dhe aktiv. "Tani këto marrëdhënie po përjetojnë një fazë të rëndësishme dhe të dyja palët duhet të zbatojnë si duhet konsensusin e arritur midis krerëve të të dy vendeve, duke ecur në të njëjtin drejtim, me respekt të ndërsjellë dhe përpjekje të përbashkëta, për të nxitur përparimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve kino-amerikane", tha z. Liu.

Presidenti amerikan Donald Trump tha nga ana e tij se i çmon marrëdhëniet e mira të punës dhe miqësinë personale me homologun kinez Xi Jinping. "Dëshiroj të ruaj kontakte të ngushta me kryetarin Xi për të nxitur zhvillimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve amerikano-kineze," shtoi Trump-i.

Gjatë takimit, të dyja palët shkëmbyen mendime të thella mbi marrëdhëniet ekonomiko-tregtare midis dy vendeve. Z. Liu u shpreh se pala kineze dëshiron të bëjë përpjekje së bashku me palën amerikane për të zgjidhur në bazë të barazisë dhe të leverdisë së ndërsjellë problemet ekonomiko-tregtare dypalëshe, në mënyrë që bashkëpunimi ekonomiko-tregtar kino-amerikan të shërbejë si "gur balasti dhe helikë" e marrëdhënieve të gjithanshme Kinë-ShBA.

Trumpi u shpreh se është e rëndësishme të ruhet bashkëpunimi i mirë ekonomiko-tregtar amerikano-kinez. Të dy ekonomitë kanë prirje të mirë zhvillimi, me mundësi të mëdha tregu dhe hapësirë të gjerë për bashkëpunimin ekonomiko-tregtar. Ai shprehu dëshirën që grupet për çështjet ekonomike të të dy vendeve të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të zgjidhur problemet ekzistuese në fushat përkatëse. Sipas tij, ShBA-ja dhe Kina duhet të shtojnë bashkëpunimin në fushën e tregtisë e të investimeve në sektorë të tillë si energjetika dhe manifaktura, të zgjerojnë tregtinë e të lehtësojnë hyrjen në treg të produkteve bujqësore, si edhe të forcojnë bashkëpunimin në mbrojtjen e pronësisë intelektuale, për t'u sjellë të dy popujve më shumë përfitime konkrete.

(Zhang Yan)

Mrekulli
Lajmet Kryesore