Wang Yi: Nisma "Një brezi, një rrugë" i shërben zhvillimit të përbashkët e prosperitetit

2018-05-17 10:21:09 CRI Komenti juaj Printoni

Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi përsëriti edhe një herë se nisma "Një brez, një rrugë" u propozua nga Kina, por shanset dhe frytet e saj i përkasin mbarë botës. Ai iu drejtua gazetarëve, pas takimit në Paris me homologun francez, Jean-Yves Le Drian.

"Në pesë vjet vëllimi i përgjithshëm i tregtisë midis Kinës dhe vendeve të përfshira në këtë nismë ka tejkaluar 4 trilionë dollarët, ndërsa investimet në mbi 60 miliardë dollarë amerikanë," tha Wang.

Kina dhe 43 vendet e përfshira në nismë kanë vendosur linja të drejtpërdrejta ajrore, ndërsa në linjën hekurudhore Kinë – Europë kanë qarkulluar mbi 7500 trena mallrash. Janë ndërtuar 75 zona të bashkëpunimit ekonomik e tregtar jashtë Kinës dhe janë hapur mbi 200 mijë vende pune.

Faktet vërtetojnë, tha Wang, se nisma "Një brez, një rrugë" është në përputhje me nevojat e kohës e të globalizimit dhe u ka sjellë përfitime vendeve të përfshira.

Kryediplomati kinez pranoi se për nismën të propozuar nga Kina janë ngritur dyshime nga disa vende europiane, por Wang siguroi se "Një Brez, Një Rrugë" është një projekt transparent që i përmbahet parimit të zhvillimit dhe të ndarjes së përbashkët të përfitimeve.

"Natyrisht, ne do t'i përmbahemi cilësisë dhe standardeve më të larta ndërkombëtare," tha ministri duke theksuar se Kina iu përmbahet rregullave ndërkombëtare dhe operacioneve të tregut.

"Në të njëjtën kohë ne i japim rëndësi të barabartë qëndrueshmërisë buxhetore dhe mbrojtjes së mjedisit," shtoi Wang. (Du/Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore