OKB-ja mbështet përpjekjet e BE-së për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore të Iranit

2018-05-17 10:19:44 CRI Komenti juaj Printoni

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha të mërkurën në Bruksel se OKB-ja përkrah plotësisht përpjekjet e bëra nga Bashkimi Europian për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore të Iranit.

Guterres i bëri këto komente gjatë vizitës në selinë e Bashkimit Europian, ku u takua me kryetarin e Komisionit Europian Jean-Claude Junker dhe Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Federica Mogherini.

Në një konferencë të përbashkët shtypi pas takimit, kreu i OKB-së theksoi se po jetojmë në një botë të rrezikshme dhe se mekanizimi i mospërhapjes së armëve bërthamore po vihet në pikëpyetje për herë të parë pas disa dhjetëra vjetëve. Sipas tij, mbrojtja e mekanizimit të qeverisjes shumëpalëshe dhe e sundimit të ligjit në marrëdhëniet ndërkombëtare janë shumë të domosdoshme. Guterres-i shprehu admirim për rolin që ka luajtur Bashkimi Europian në këtë drejtim dhe theksoi se OKB-ja mbështet plotësisht përpjekjet e Bashkimit Europian për të mbrojtur marrëveshjen bërthamore të Iranit.

Nga ana e tij, Jean-Claude Junker-i ritheksoi vendosmërinë e Bashkimit Europian për mbrojtjen e marrëveshjes bërthamore të Iranit, duke u shprehur se "kjo është shumë e rëndësishme për mbrojtjen e paqes në rajon dhe në mbarë botën."

Të martën, shefja e diplomacisë europiane Federica Mogherini drejtoi bisedimet e brendshme të BE-së me ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë e Britanisë së Madhe, si edhe bisedimet midis këtyre tre ministrave me homologun e tyre iranian Mohammad Javad Zarif. Mogherini u shpreh se Bashkimi Europian dhe Franca, Gjermania e Britania e Madhe do të vazhdojnë të zbatojnë marrëveshjen bërthamore të Iranit dhe gjatë disa javëve të ardhshme do të zhvillojnë me Iranin konsultime në nivele të ndryshme, për të përballuar vështirësitë e shkaktuara pas rifillimit nga SHBA-ja të sanksioneve ndaj Iranit. (Du)

Mrekulli
Lajmet Kryesore