Vijojnë protestat në Gazë pas zhvendosjes së ambasadës amerikane

2018-05-16 21:15:40 CRI Komenti juaj Printoni

Me 70-vjetorin e "Ditës së Katastrofës", palestinezët protestuan duke u përplasur me forcat izraelite të sigurisë. Njoftohet se dy palestinezë u qëlluan për vdekje gjatë konfrontimeve me ushtarët izraelitë në lindje të Gazës.

Dita e 15 majit quhet ndryshe dhe Dita e Nakba-së, apo "Dita e Katastrofës", për shkak të zhvendosjes së detyruar të 750 mijë palestinezëve në 1948-n me shpalljen shtet të Izraelit, të nxjerrjes së tyre nga shtëpitë e të mbylljes në kampe refugjatësh.

Sipas njoftimeve, ushtria izraelite ka vrarë 62 palestinezë dhe ka plagosur mbi 1700 të tjerë që nga protestat e së hënës. Dhuna nxiti një valë dënimi dhe shqetësimi ndërkombëtar.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e nisi takimin mbi dhunën përgjatë kufirit mes Izraelit dhe Gazës me një moment heshtjeje për viktimat palestineze të së hënës.

OKB-ja nënvizoi se e hëna ishte dita më e përgjakshme në Gazë që nga lufta e vitit 2014.

Koordinatori i Posaçëm i OKB-së për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, Nikolay Mladenov, tha se ka ardhur koha që luftimet të përfundojnë.

"U bëj thirrje të gjithëve të bashkohen me mua sot duke dënuar në termat më të ashpra veprimet që kanë çuar në humbjen e shumë jetëve në Gazë. Izraeli ka përgjegjësinë për të kalibruar përdorimin e forcës, për të mos përdorur forcën vdekjeprurëse. Duhet ta mbrojë kufirin, por duhet ta bëjë këtë në mënyrë proporcionale dhe të hetojë çdo incident që ka çuar në humbjen e jetës njerëzore. Hamasi, i cili ka kontrolluar Gazën për më shumë se një dekadë, nuk duhet të përdorë protestat si një mbulesë për të vendosur bomba në gardhin e sigurisë dhe për të nxitur provokime".

Dhuna në Rripin e Gazës u dënua gjithashtu edhe nga përfaqësuesit e Kinës dhe të Rusisë.

Ambasadori i Kinës në Kombet e Bashkuara, Ma Zhaoxu, tha se ka ardhur koha për qetësimin e situatës.

"Shprehim keqardhje të thellë për viktimat dhe ngushëllime për familjarët e tyre dhe kërkojmë që të ndërmerret një hetim objektiv dhe i paanshëm për të qartësuar atë që ka ndodhur. Kina ka ngulur këmbë vazhdimisht që mosmarrëveshja mes Palestinës dhe Izraelit të zgjidhet përmes negociatave paqësore. Kina kundërshton çdo masë që përshkallëzon tensionin dhe shkakton viktima në mesin e civilëve të pafajshëm".

Ambasadori i Arabisë Saudite në OKB, Abdallah al-Mouallimi, u shpreh se Kombet e Bashkuara duhet të marrin rol udhëheqës në rinisjen e bisedimeve të paqes.

Që nga nisja e tubimeve masive nën moton "Marshi i Madh i Kthimit" në fund të marsit, ushtria izraelite ka vrarë 111 palestinezë dhe ka plagosur mbi 10 mijë të tjerë. (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore