Zaharieva: Perspektiva e Ballkanit Perëndimor në BE është e pakthyeshme

2018-05-16 10:03:34 CRI Komenti juaj Printoni

Perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor është jo vetëm një prioritet i presidencës së radhës bullgare të Bashkimit Europian, por gjithashtu angazhimi ynë afatgjatë për sa i përket politikës sonë të jashtme, deklaroi të martën ministrja bullgare e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva.

"Besoj se do t'ia dalim nëse e bëjmë këtë proces të pakthyeshëm," nënvizoi Zaharieva në një konferencë ndërkombëtare për kohezionin ekonomik dhe social në Ballkanin Perëndimor, organizuar në Sofje nga Komiteti Ekonomik dhe Social Europian (CESE) dhe nga programi i ndihmës teknike dhe shkëmbimeve të informacionit i Komisionit Europian (TAIEX).

Në axhendën e presidencës bullgare të BE-së, është një samit i Bashkimit Europian kushtuar Ballkanit Perëndimor, që është parashikuar të mbahet në Sofje më 17 maj.

"Është e rëndësishme që qeveritë dhe institucionet e Bashkimit Europian të japin maksimumin për të mbështetur këto vende, jo vetëm për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit dhe të Europës në tërësi, por sepse ata kanë zgjedhur të jenë pjesë e BE-së," theksoi Zaharieva.

Gjatë konferencës, përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë folur jo vetëm për perspektivën europiane, por gjithashtu për lidhjet në fushën e transporteve dhe të energjisë si dhe për nevojën e reformave me interes dhe në mbrojtje të qytetarëve. (ATSh/Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore