Diplomatët e Europës dhe Iranit planifikojnë mbrojtjen e marrëveshjes bërthamore

2018-05-16 09:58:15 CRI Komenti juaj Printoni

Diplomatët e lartë europianë ranë dakord të martën të vazhdojnë zbatimin e marrëveshjes bërthamore të Iranit, pavarësisht vendimit të javës së shkuar të presidentit të ShBA-së, Donald Trump për t'u tërhequr.

Kryediplomatja europiane u tha gazetarëve të martën, se BE-ja do të nisë diskutime intensive në të gjitha nivelet me Iranin në javët e ardhshme. Deklarata e saj erdhi pas një takimi me ministrat e Jashtëm të Britanisë, Gjermanisë, Francës dhe Iranit.

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian Federica Mogherini nënvizoi para gazetarëve urgjencën dhe ndërgjegjësimin për gjetjen e një zgjidhjeje.

"Ne të gjithë ndajmë të njëjtin qëllim, që lidhet me zbatimin e plotë të Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit, i njohur gjithashtu si marrëveshja bërthamore e Iranit. Siç e dini shumë mirë, kemi mospajtime të tjera në shumë fusha. Në këtë drejtim, patëm një takim shumë konstruktiv dhe pozitiv, duke treguar se në të gjitha anët ka ndërgjegjësim për urgjencën e gjetjes së një zgjidhjeje, jo për hir të një kalendari, por sepse duam ta shpëtojmë këtë marrëveshje. Ky nuk është një ushtrim i lehtë, por nëse duam ta ruajmë këtë marrëveshje, e dimë se sa më shpejt të veprojmë, aq më mirë dhe më e lehtë do të jetë."

Ministri i Jashtëm iranian Mohammed Javad Zarif beson se Irani dhe Europa janë "në rrugën e duhur".

"Ne e filluam procesin dhe besoj se jemi në rrugën e duhur. Tani kjo varet nga ajo që mund të bëjmë brenda disa javëve të ardhshme. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së (për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini) do të bëjë një deklaratë në emër të të gjithëve dhe besoj se ky është një fillim i mirë. Ne po e fillojmë procesin dhe duhet të marrim garanci. Më pas do të shohim se si mund të vazhdojmë përpara". (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore