Itali, ekstremi i djathtë paraqet kushtet për të formuar qeverinë

2018-05-15 10:29:36 CRI Komenti juaj Printoni
Liga, partia italiane e ekstremit të djathtë, paraqiti të hënën në mbrëmje kushtet e saj për luftën kundër emigracionit apo marrëdhënien me Bashkimin Europian për të krijuar një qeveri koalicioni me Lëvizjen e Pesë Yjeve.

"Meqenëse jemi duke shkruar atë që do të jetë programi i qeverisë për pesë vitet në vijim, kemi kërkuar disa ditë më shumë", deklaroi Luigi Di Maio, kreu i Lëvizjes së Pesë Yjeve, në përfundim të një takimi prej 45 minutash me presidentin e Italisë, Sergio Mattarella.

I pritur pak më vonë, në përfundim të shumë ditësh bisedimesh intensive, kreu i Ligës, Matteo Salvini u tregua shumë më pak bashkues.

"Nëse do të hyj në qeveri, dua të bëj atë që u kam premtuar italianëve", theksoi ai, duke garantuar se në çastin që sondazhet e nxjerrin në rritje, partia e tij nuk i trembet përsëritjes së zgjedhjeve.

Ai kërkoi gjithashtu që Liga t'i ketë duart e lira për të luftuar kundër emigracionit klandestin dhe të garantojë sigurinë e qytetarëve.

"Mbi Bashkimin Europian, italianët kanë votuar që ne të shkojmë në Bruksel dhe Strasburg për të vënë në qendër çështjen e punësimit të italianëve, të dinjitetit të punës, të mbrojtjes së bujqësisë, të 'Made in Italy', të peshkimit," deklaroi shefi i Ligës.

"Qeveria do të formohet nëse ka mjete për të vepruar," theksoi ai. (ATSh/Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore