Palestinezët dënojnë hapjen e ambasadës amerikane në Jerusalem

2018-05-15 10:02:43 CRI Komenti juaj Printoni

Presidenti palestinez Mahmud Abbas dënoi të hënën hapjen e ambasadës së ShBA-së në Jerusalem dhe bëri thirrje për zi të martën pasi forcat izraelite vranë 55 palestinezë në Gaza.

Gjatë një takimi të hënën mbrëma në selinë e partisë së tij në Bregun Perëndimor në qytetin e Ramallahut, ai tha "ajo që pamë sot në Jerusalem nuk ishte hapja e një ambasade, por hapja e një vendbanimi amerikan".

Abbas kritikoi veprimet e ShBA-së, që sipas tij, i kundërvihen bashkësisë ndërkombëtare dhe ligjeve "duke iu larguar rolit politik si ndërmjetës në Lindjen e Mesme". Ai theksoi kërkesën e tij për të gjetur një mekanizëm ndërkombëtar shumëpalësh për mbikëqyrjen e procesit të paqes.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) Saeb Erekat tha se udhëheqja vendosi të ngrinte një padi gjyqësore kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ndërtimin e vendbanimeve në territoret e pushtuara palestineze.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi të hënën mbrëma se ushtarët izraelitë vranë 55 palestinezë dhe plagosën 2771 të tjerë në një ditë protestash dhe konfrontimesh të përgjakshme në Bregun Lindor të Gazës. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore