Ambasadorja Jiang Yu viziton Skraparin me Presidentin Ilir Meta

2018-05-11 17:27:49 CRI Komenti juaj Printoni

Nga 8 deri më 9 maj, ambasadorja e Kinës në Tiranë znj. Jiang Yu u ftua të vizitonte qytetin e Skraparit. Së bashku me presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, ajo ishte e pranishme në ceremonitë festive të organizuara nga Bashkia e Skraparit me rastin e çeljes së sezonit turistik. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm ambasadorë të disa vendeve, përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri, deputetë të zonës dhe personalitete të qarqeve të ndryshme.Gjatë vizitës dyditore, ambasadorja Jiang zhvilloi gjithashtu një takim me kryebashkiakun e Skraparit, z.Nesim Spahiu.

 

Në ceremoninë e çeljes së sezonit turistik, presidenti Meta u shpreh se Skrapari do të bëhet një ndër destinacionet më të rëndësishme turistike të Shqipërisë.

"Kushdo që viziton Skraparin ndihet i impresionuar nga bukuria e zonës, nga traditat e nga mikpritja dhe mezi presin të rikthehen përsëri këtu. Sigurisht që e ardhmja e Skraparit mbështetet fort te turizmi, te bujqësia, te ruajtja e traditave të kësaj zone në të gjitha sferat", tha z. Meta.

Në fjalën e tij, Presidenti Meta shprehu kënaqësinë që merr pjesë në këtë ceremoni për të çelur sezonin turistik, por njëkohësisht edhe për të festuar 9 Majin, Ditën e Europës dhe Ditën e Fitores ndaj Fashizimit. Dhe këtë të fundit më mirë se në Skrapar, që është krahina e parë e çliruar gjatë Luftës së Dytë Botërore, vështirë ta festosh dikur tjetër," tha presidenti.

Pas përfundimit të ceremonisë, ambasadorja Jiang e shoqëroi z.Meta në Panairin e përvitshëm të Produkteve Bio të Skraparit, ku ishin ekspozuar prodhimet e zonës.

Kreu i Shtetit i Shqipërisë ftoi gjithashtu ambasadorët e pranishëm për rafting në Kanionet e Osumit për të njohur nga afër me peizazhin mahnitës të Skraparit. Ambasadorja Jiang tha se qyteti i Skraparit ku përqëndrohen bukuria natyrore dhe elemente të larmishme historiko-kulturore mund të ofrojë alternativa të shumta për turistët kinezë.

"Pala kineze dëshiron të mbajë bashkëpunim të ngushtë me palën shqiptare, duke bërë më shumë publicitet për burimet e pasura turistike në Shqipëri për të tërhequr sa më shumë vizitorë kinezë, duke forcuar më tej bazën e bashkëpunimit midis dy vendeve nga ana e shkëmbimeve njerëzore", tha znj. Jiang.

 Gjatë vizitës në Bashkinë e Skraparit, ambasadorja Jiang e ftoi z. Spahiu të marrë pjesë në Forumin e Dytë të Kryebashkiakëve Kinë-EQL. Sipas saj, bashkëpunimi në nivel të qeverive lokale përbën një pjesë të rëndësishme të mekanizmit "16+1" dhe viti 2018 është caktuar pikërisht si viti i bashkëpunimit të qeverive lokale.

Ajo shprehu dëshirën që palët e ndryshme të vazhdojnë të promovojnë këto shkëmbime.

"Skrapari si një qytet i bukur me histori të gjatë, ku dalin edhe shumë talente të vendit është përfaqësues i shkëlqyer i qyteteve të Shqipërisë. Shpresoj se kryebashkiakët shqiptarë që marrin pjesë në forum do të kenë mundësi të zhvillojnë shkëmbime të plota dhe të ndajnë përvojat e veta me homologët kinezë dhe ata të vendeve të tjera të Europës Qendrore e Lindore për çështjet si lehtësimi i tregtisë ndërkombëtare, nxitje e investimeve, mbështetjen e novacionit dhe të sipërmarrjes, bashkëpunimin mes ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme", u shpreh ambasadorja Jiang në takimin me kryebashkiakun e Skraparit Nesim Spahiu.

Skrapari është i njohur për luginat e mrekullueshme të lumit të Osumit dhe të Tomorricës. Me një reliev malor dhe nje pozitë të favorshme gjeografike rrethi i Skraparit ofron një peizazh shumë të bukur panoramik, duke tërhequr vizitorë të shumtë europianë të provojnë këtu rafting, ngjitje në shkëmb, ecje, ciklizëm malor për të shijuar bukurinë e rrallë natyrore.

Mrekulli
Lajmet Kryesore