Athina zgjidhet si "Qyteti i Librit" 2018 në Ditën Botërore të Librit

2018-04-24 11:01:00 CRI Komenti juaj Printoni

Kryeqyteti grek, Athina, u zgjodh të hënën si "Qyteti i Librit" për vitin 2018, gjatë një ceremonie të organizuar në muzeun e Akropolit.

Për një vit, duke filluar nga 23 prilli, Ditën Botërore të Librit, të shpallur nga UNESCO-ja që nga viti 1995, Athina do të jetë në qendër të një fushate ndërkombëtare që synon nxitjen e leximit.

Përmes një programi të pasur me mbi 250 veprimtari të lidhura me librin në të gjithë qytetin, duke përfshirë seminare, forume, konkurse dhe aktivitete të ndryshme për të rriturit dhe fëmijët, athinasit dhe vizitorët e ndryshëm, kryeqyteti helen synon të sjellë për lexuesit libra kudo që të jetë e mundur, si dhe të përhapë kënaqësinë dhe vlerat e leximit.

Kryeqyteti grek e merr kryesimin e veprimtarisë "Qyteti i Librit" nga Conakry e Guinea-s dhe për vitin që vjen do t'ia kalojë stafetën qytetit Sharjah të Emirateve të Bashkuara Arabe. UNESCO-ja synon që veprimtaria "Qyteti i Librit" të bëhet gjithnjë e më i fortë.

"Filloi dhe udhëtimi i Athinës. Do të doja të siguroja UNESCO-n se zgjedhja e Athinës si Qyteti i Librit për 2018-n ishte e drejtë jo vetëm për shkak të historisë së saj, por edhe për perspektivat e saj," tha presidenti grek, Prokopis Pavlopulos.

"Në Athinë sot dhe në mbarë botën ne festojmë rëndësinë e librave. Festojmë shkrimin, leximin, botimin dhe shkëmbimin e librave kudo. Të gjitha këto aktivitete i rrisin vlerat qenies njerëzore," tha Ian Denison, drejtor i Botimeve të UNESCO-s, gjatë mbrëmjes festive në kodrën e Akropolit.

"Athina po feston, Athina po lexon libra" është slogani kryesor i festës njëvjeçare, thanë organizatorët helenë. (Haris)

Mrekulli
Lajmet Kryesore