Ndahet nga jeta DJ dhe ylli i muzikës elektronike Avicii

2018-04-21 11:24:07 CRI Komenti juaj Printoni

DJ suedez dhe muzikanti i rrymës elektronike Avicii u nda nga jeta në moshën 28 vjeçare, deklaroi të premten një i afërm i tij, duke konfirmuar edhe raportimet e mediave.

"Me një dhimbje të thellë njoftojmë humbjen e Tim Bergling. Ai u gjet i vdekur në Muskat, Oman të premten më 20 prill në mesnatë sipas orës vendore," thuhet në një deklaratë.

Artisti ishte i njohur për hite si "Levels", "Sunshine" dhe "Wake Me Up".

Ndonëse Avicii u tërhoq nga turnetë e koncerteve në vitin 2016, ai vazhdoi të regjistronte muzikë dhe të punonte si producent.

Përfaqësuesja e tij, Ebba Lindqvist, u shpreh se "familja e artistit ishte e shkatërruar dhe kërkonte privatësi gjatë këtyre ditëve të vështira". Ende nuk është dhënë asnjë arsye për vdekjen.

Lindur në Stokholm më 8 shtator 1989, Bergling filloi të luante si DJ që kur ishte adoleshent. Muzika e tij e parë u publikua në vitin 2007 ndjekur nga shumë të tjera. Ai u bë i famshëm në nivel ndërkombëtar në vitin 2011 me këngën "Levels". (ATSh/Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore