Ambasadorja e Kinës në Cërrik, inspekton programin e bashkëpunimit bujqësor kino-shqiptar

2018-04-17 16:05:04 CRI Komenti juaj Printoni

Ambasadorja e Kinës në Shqipëri Jiang Yu vizitoi Cërrikun të hënën, ku takoi kryetarin e bashkisë Altin Toska, përfaqësues të Shoqatës së Fermerëve dhe fermerë vendorë. Në takim, ambasadorja u njoh me gjendjen dhe potencialin e bujqësisë shqiptare në këtë rajon dhe diskutoi me autoritetet shqiptare mbi programin e bashkëpunimit dypalësh në këtë fushë.

Ambasadore Jiang u shpreh se bujqësia është një fushë e rëndësishme e bashkëpunimit dypalësh. Në Cërrik po ndërtohet një stacion pilot i makinerive bujqësore me ndihmën e qeverisë kineze. I ndodhur në pjesën qendrore të Shqipërisë, Cërriku ka kushte të favorshme natyrore dhe të transportit.

Diplomatja përmendi vizitën e vitit të kaluar të delegacionit kinez, të përbërë nga Ministria e Tregtisë e Kinës dhe Akademia e Shkencave të Makinerive Bujqësore të Kinës, të cilët vendosën kontakte me Ministrinë e Bujqësisë dhe të Zhvillimit Rural dhe bashkinë e Cërrikut. Takimi vendosi bazat për bashkëpunim e ardhshëm.

"Shpresoj që programi i bashkëpunimit mes Kinës dhe Shqipërisë të vihet sa më parë në zbatim, në mënyrë që ai të kontribuojë për forcimin e aftësisë prodhuese bujqësore të Cërrikut, të nxisë zhvillimin e ekonomisë rajonale dhe të shtojë të ardhurat fermerëve," tha ambasadorja.

Jiang theksoi se bashkëpunimi bujqësor midis Kinës dhe Shqipërisë do të zgjerohet vazhdimisht. Të dyja palët, tha ajo, janë në dispozicion të forcimit të bashkëpunimit dhe gjetjes së një modeli të ri bashkëpunimi.

"Vizita ime në Cërrik zhvillohet për t'u takuar me ekspertët e bujqësisë dhe fermerët, për të dëgjuar sugjerimet dhe vërejtjet e publikut. Mbi të gjitha, na duhen njerëz për realizimin e bashkëpunimit. Në të ardhmen, ne do të ftojmë në Shqipëri akademikë kinezë nga institucionet e larta të bujqësisë, për studiuar gjendjen, si dhe do të ftojmë kompanitë e fuqishme të agrobiznesit të Kinës për të parë shanset e bashkëpunimit," tha Jiang.

Të dyja palët, tha ambasadorja, duhet të formojnë së bashku një zinxhir të plotë të industrisë bujqësore që nga kultivimi, përpunimi deri në tregtim.

"Kjo do të jetë model që fuqizon rritjen ekonomike, aftësinë e novacionit bujqësor dhe konkurrueshmërinë e Shqipërisë," shtoi Jiang.

Ambasadorja e Kinës theksoi vullnetin e Pekinit për të forcuar shkëmbimet mbi politikat bujqësore të të dy vendeve, zgjerimin e agrobiznesit dhe krijimin e kushtet e favorshme në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë" dhe të mekanizmit të "Bashkëpunimit 16+1".

Me rastin e Ekspozitës së Parë Ndërkombëtare të Importit të Kinës, Shqipëria do t'i njohë konsumatorët kinezë me mjaltin, vajin e ullirit dhe produkte të tjera bujqësore me konkurrueshmëri të lartë, duke shtuar hyrjen e produkteve cilësore shqiptare në tregun kinez.

"Të dy vendet dhe popujt duhet të jenë përfituesit e bashkëpunimit dypalësh në bujqësi," përfundoi ambasadorja e Kinës në Shqipëri.

Kryetari i bashkisë së Cërrikut Altin Toska e quajti të gëzueshëm për qytetarët lajmin që Cërriku të zgjidhet si vend i bashkëpunimit shqiptaro-kinez për ndërtimin e stacionit të makinerive bujqësore. Duke rikujtuar vizitën e vitit të kaluar të delegacionit kinez, z. Toska nënvizoi përshtypjet e thella për profesionalizmin dhe entuziazmin e palës kineze.

Ai u shpreh se bujqësia është sektor themelor i Shqipërisë dhe shtyllë e zhvillimit të Cërrikut.

"Vitet e fundit, Kina ka treguar vullnet pozitiv për zhvillimin e bashkëpunimit bujqësor me palën shqiptare. Ky vullnet është mbështetje reale për zhvillimin e ekonomisë dhe për përmirësimin e jetës së popullit shqiptar," tha ai.

Cërriku do ta shfrytëzojë këtë rast, tha Toska, nëpërmjet zhvillimit të shkëmbimeve me palën kineze lidhur me përdorimin e makinerive, teknologjinë e kultivimit dhe kualifikimin e stafit profesional etj., duke ngritur nivelin e bujqësisë vendore në një shkallë më të lartë, që të nxisë zhvillimin e ekonomisë.

Në takim merrnin pjesë edhe drejtori i Radiostacionit të Cërrikut Zhong Ming dhe zyrtarë të bashkisë së Cërrikut që mbulojnë çështjet përkatëse. (Wang Xianya)

Mrekulli