Kina, e gatshme të bashkëpunojë me ndërkombëtarët për fitime të përbashkëta

2018-04-17 20:48:23 CRI Komenti juaj Printoni

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Hua Chunying, tha të martën në Pekin se mosmarrveshjet aktuale tregtare midis Kinës dhe ShBA-së janë lufta midis multilateralizmit dhe unilateralizmit si dhe midis liberalizimit të tregtisë globale dhe proteksionizmit tregtar. Historia ka vërtetuar shpesh se mbyllja do të çojë vetëm drejt humnerës, ndërsa hapja dhe bashkëpunimi do të kenë perspektivë të gjerë.

Gjatë dialogut dypalësh ekonomik të kohëve të fundit kino-japonez dhe kino-indian, Japonia dhe India kanë shprehur përkatësisht përkrahje ndaj sistemit të tregtisë shumëpalëshe me rregulla dhe thanë se do të mbrojnë sistemin e tregtisë së lirë globale me Organizatën Botërore të Tregtisë si bërthamë të saj. Shumë liderë të huaj e drejtues të organizatave ndërkombëtare kanë shprehur po ashtu të njëjtin qëndrim. Në konferencën e shtypit të së martës, kur u pyet nëse këto fakte tregojnë përkrahjen e shumë vendeve ndaj palës kineze, në një kohë kur lufta tregtare kino-amerikane mund të acarohet edhe më shumë, Hua Chunying tha:

"Ashtu siç tha edhe kryetari i Shtetit i Kinës Xi Jinping gjatë takimit me presidentin e Forumit të Ekonomisë Botërore Klaus Schuab, problemet e shumta që na paraqiten, si dhe sfidat botërore të ditëve të sotme, duhet t'i përballojmë vetëm nëpërmjet konsultimeve të barabarta dhe bashkëpunimit shumëpalësh. Në këtë drejtim vendet e mëdha luajnë një rol të rëndësishëm e të veçantë. Si vend i madh dhe i përgjegjshëm, Kina është e gatshme të hapet më tej dhe të bashkëpunojë me bashkësinë ndërkombëtare për fitime të përbashkëta, që të japë më shumë kontribut për një botë me perspektivë më të ndritshme, të qëndrueshme dhe të ardhme më të bukur."

Zëdhënësja e diplomacisë kineze vuri në dukje se Kina dhe ShBA-ja, si dy fuqi të mëdha, integrohen ekonomikisht me njera-tjetrën dhe duhet ta respektojnë e trajtojnë në mënyrë të barabartë njëra-tjetrën dhe të kenë gjithashtu fitime të përbashkëta gjatë bashkëpunimit.

"Nëse Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të veprojnë në mënyrë tekanjose, në kundërshtim me rrymën e kohës, Kina do ta trajtojë me seriozitet këtë çështje dhe do të reagojë në mënyrë të ashpër në mbrojtje të multilateralizmit dhe liberalizimit tregtar. Kjo synon jo vetëm mbrojtjen e interesave të ligjshme të palës kineze, por edhe mbrojtjen e sistemit e rregullave të tregtisë shumëpalëshe në botë.", u shpreh ajo. (Wang Lei/Haris)

Mrekulli
Lajmet Kryesore