Ambasadorja kineze takohet me përfaqësues shqiptarë të medias

2018-04-15 12:33:07 CRI Komenti juaj Printoni

Ditët e fundit, ambasadorja e Kinës në Shqipëri Jiang Yu pati një takim me presidentin e "Hysenbelliu Group" Irfan Hysenbelliu dhe drejtoren e gazetës "Albanian Daily News" Anisa Skendaj, duke i njohur ata me idetë dhe masat e reja të thellimit të reformës dhe të zgjerimit të hapjes së Kinës, me rastin e 40-vjetorit të fillimit të procesit të Reformës dhe Hapjes në Kinë.

Ambasadorja Jiang u shpreh se atmosfera e mirë shoqërore që ndihmon në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore kino-shqiptare është e pandarë nga mbështetja e medias shqiptare. Mediat kryesore shqiptare kanë bërë raportime të vazhueshme dhe të gjithanshme mbi Kinën moderne dhe marrëdhëniet kino-shqiptare, duke luajtur një rol pozitiv për konsolidimin e miqësisë dypalëshe dhe nxitjen e bashkëpunimit pragmatik.

Znj. Jiang theksoi që sivjet është 40-vjetori i fillimit të Reformës dhe Hapjes në Kinë. Presidenti kinez Xi Jinping mbajti një fjalim në ceremoninë e hapjes së Forumit të Boaos për Azinë, ku shtjelloi arritjet dhe përvojën e Kinës gjatë zbatimit të politikës së Reformës dhe Hapjes, si edhe ndikimet e saj në botë. Ai foli gjithashtu edhe për rrugët e thellimit të reformës dhe zgjerimit të hapjes në rrethanat e tanishme globale. Kreu i shtetit kinez tha se Reforma dhe Hapja janë revolucioni i dytë e Kinës, që jo vetëm e ka ndryshuar Kinën rrënjësisht, por edhe ka ushtruar ndikime të mëdha mbi botën. Në epokën e re, Kina do të shkruajë një kapitull të ri të Reformës dhe Hapjes.

Ambasadorja kineze nënvizoi që Kina nuk do të mbyllë dyert e saj të hapura. Në ceremoninë e hapjes së Forumit të Boaos, presidenti Xi Jinping ritheksoi vendosmërinë e Kinës për të zbatuar politikën e hapjes ndaj botës së jashtme si politikën bazë kombëtare, duke premtuar masa lehtësuese për hyrjen e investitorëve të huaj të në tregun kinez, përmirësimin e mjedisit të investimeve, forcimin e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektualde dhe zgjerimin e importit. Këto masa janë hartuar sipas kërkesës së brendshme dhe programit të zhvillimit të vetë Kinës, jo nën presionin e jashtëm.

Duke folur për nismën "Një brez, një rrugë", znj. Jiang Yu tha që kjo nismë është propozuar nga Kina, por frytet e saj i përkasin mbarë botës. Kina nuk bën llogari gjeopolitike dhe nuk përfshihet në grupe të mbyllura e përjashtuese, por synon bashkëpunimin dhe përftimet e përbashkëta nën orientimin e parimit "konsultim, ndërtim dhe ndarje e përbashkët", në mënyrë që nisma "Një brez, një rrugë" t'u shërbejë më së miri popujve të botës.

Në fund, ambasadorja kineze nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit, të dialogut dhe të ndarjes së përgjegjësive mes vendeve të ndryshme të botës. Përfitimet e përbashkëta realizohen vetëm nëpërmjet bashkëpunimit paqësor. Pavarësisht se në cilën fazë zhvillimi ndodhet, Kina kurrë nuk do të kërcënojë të tjerët, nuk synon të përmbysë sistemin ekzitues ndërkombëtar dhe nuk pretendon krijimin e sferave të influencës, por do të jetë gjithmonë kontribuese për paqen, zhvillimin dhe rendin botëror.

Në takim ishin të pranishëm edhe pjesëtarë të stafit të "Focus Group", gazetës "Panorama" e televizionit "News24", si edhe të gazetës "Albanian Daily News". (Wang Xianya)

Mrekulli
Lajmet Kryesore