Shoqatat amerikane i kërkojnë Kongresit që të "zbusë sa më shpejt" fërkimet tregtare me Kinën

2018-04-13 10:52:28 CRI Komenti juaj Printoni

Mbi 100 shoqata amerikane të industrisë i kanë bërë thirrje Kongresit që të ndërhyjë për të zbutur mosmarrëveshjet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Shoqatat përfaqësojnë prodhuesit, fermerët, shitësit me pakicë, kompanitë e teknologjisë dhe palët e tjera të zinxhirit të furnizimit të ShBA-së.

Shoqatat e industrisë kanë paraqitur të enjten, përmes Federatës Kombëtare të Shitjes me Pakicë, një letër për kongresmenin republikan të Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin Brady dhe kongresmenin demokrat, Richard Neal.

Në letër thuhet se përshkallëzimi i tensioneve tregtare me Kinën mund të shkaktojë dëme serioze për të gjitha kompanitë dhe fermat anëtare, punëtorët dhe konsumatorët e tyre. Letra i kujton Kongresit se sipas Kushtetutës së vendit, ai duhet të luajë një rol të rëndësishëm në lehtësimin sa më parë të kësaj situate.

Javën e kaluar, administrata e Trump-it nxorri ​​një listë produktesh kineze me vlerë 50 miliardë dollarë amerikanë të cilave do t'u vendosej një tarifë shtesë prej 25 përqind.

Qeveria kineze, në përgjigje të masave tarifore të ShBA-së, ka nxjerrë gjithashtu një listë të produkteve të importuara nga Shtetet e Bashkuara me vlerë 50 miliardë dollarë të cilave do t'u vendosej një tarifë shtesë prej 25 përqind. (Haris)

Mrekulli
Lajmet Kryesore