Eksperti: Mosmarrëveshjet tregtare Kinë-ShBA, të përkohshme

2018-04-10 19:18:29 CRI Komenti juaj Printoni
Pas njoftimit të administratës së Trump-it për tarifa të mundshme për produkte të ndryshme kineze, si dhe për kufizime potenciale të investimeve, Kina u kundërpërgjigj në atë që mendohet se mund të jetë fillimi i një lufte tregtare.

Ndër viktimat e para të kësaj lufte nga pala amerikane mund të jenë prodhuesit e sojës.

Që nga fillimi i importimit të sojës nga ShBA-ja në vitin 1995, Kina tani është tregu numër 1 i këtij produkti për Shtetet e Bashkuara. Soja përdoret si ushqim në blegtori dhe si përbërës kryesor për prodhimin e tofusë, një ushqim kryesor në dietën kineze.

Vjet Kina ishte destinacioni i 62 për qind të sojës që eksportoi ShBA-ja, prandaj ndikimi i mundshëm i një tarife prej 25 për qind mbi eksportet e sojës në Kinë e ka shqetësuar lobin e sojës në ShBA.

Drejtori për Kinën i Këshillit të Eksportit të Sojës të ShBA-së Zhang Xiaoping shprehet:

"Kina e filloi importimin e sojës që në vitet 1995 - 1996, fillimisht në formën e miellit. Mielli i sojës është mielli me proteina bimore me kosto më të ulët për ushqimin e kafshëve. Kështu që më duhet të them se kërkesa e Kinës për sojë nxitet kryesisht nga kërkesa e saj për miell soje."

Gjatë dy dekadave të fundit, prodhimi i sojës është bërë një pjesë e rëndësishme e sektorit të bujqësisë në ShBA, duke e kaluar vjet misrin dhe duke u bërë kultura bujqësore më fitimprurëse në Shtetet e Bashkuara.

Zhang Xiaoping vëren se ShBA-ja është tani eksportuesja e dytë më e madhe e sojës në botë pas Brazilit:

"Për sa u përket destinacioneve kryesore të sojës së ShBA-së... Sektori i sojës i ShBA-së eksporton 60% të prodhimit të vet, në formën e kokrrave të sojës, të miellit të sojës dhe të vajit të sojës, nga të cilat rreth 85 % e zë eksporti i kokrrave, rreth 15 % i miellit dhe shumë pak i vajit. Kështu që Kina është klientja numër një e sojës që eksportohet. Ju e dini që pjesa e Kinës në eksportin e përgjithshëm të sojës vjet ishte 62%".

Që nga krijimi i zyrës së vet në Pekin në vitin 1982, Këshilli i Eksportit të Sojës i ShBA-së ka bashkëpunuar ngushtë me sektorin bujqësor kinez.

Edhe pse ishte i shqetësuar për ndikimin afatshkurtër të tarifave të mundshme të Kinës, Zhang-u shprehu besimin se Kina dhe ShBA-ja do t'i kalonin problemet e tanishme.

Mrekulli
Lajmet Kryesore