UNHCR-ja, marrëveshja për emigrantët me Izraelin favorizon të dyja palët

2018-04-04 10:01:13 CRI Komenti juaj Printoni

Një zëdhënës i Komisariatit të Lartë të Refugjatëve të OKB-së shpreson se kryeministri izraelit do të gjejë shpejt "mbështetjen e nevojshme" për marrëveshjen e favorshme për të dy palët me agjencinë e refugjatëve të OKB-së për rivendosjen e mijëra emigrantëve afrikanë.

Netanyahu tha se po e pezullonte marrëveshjen, disa orë pasi ajo ishte njoftuar, pasi presioni brenda vendit u rrit menjëherë.

Zëdhënësi, William Spindler, tha në Gjenevë se agjencia e OKB-së nuk u informua direkt nga Izraeli për këtë vendim.

Ai shtoi se është vendosur kontakt i menjëhershëm me autoritetet për të gjetur një zgjidhje.

"Jemi njohur me këtë vendim përmes mediave dhe kemi kontaktuar zyrën e kryeministrit dhe që atëherë, kemi qenë në kontakt me ta. Ne jemi të bindur se do të ketë një zgjidhje për mijëra eritreanët dhe sudanezët që ndodhen tani në Izrael. Ne jemi të gatshëm të punojmë me Izraelin dhe me vendet që do të jenë të gatshme të marrin disa prej këtyre refugjatëve".

Netanyahu postoi një mesazh në faqen e tij të Facebook, ku njoftonte pezullimin e marrëveshjes deri në shqyrtimin e mëtejshëm të saj.

Sipas marrëveshjes, më pak se gjysma e rreth 37,000 emigrantëve afrikanë, shumica e tyre nga Eritrea dhe Sudani, do të zhvendosen në vendet perëndimore, ndërsa të tjerëve do t'u lejohej të qëndronin në Izrael.

Kjo marrëveshje e nënshkruar pritej të zbatohej brenda 5 vitesh.(Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore