Jemen, sulmi ajror i Arabisë Saudite vret 14 veta

2018-04-03 10:35:49 CRI Komenti juaj Printoni

Mjekët dhe autoritetet e sigurisë thonë se të paktën 14 veta u vranë gjatë sulmeve ajrore të koalicionit të kryesuar nga Arabia Saudite që kishte në shënjestër një kamp me refugjatë vendas në qytetin Hodeidah të Jemenit.

Sipas tyre, 9 të tjerë u plagosën nga sulmet ajrore që goditën kampin në rajonin e Hali-t të hënën.

Zyrtarët vendorë thonë se për shkak të plagëve serioze të marra, numri i viktimave do të rritet.

Një banor vendas i ndodhur në vendngjarje, Mohammed Abbas-i, dëshmon mbi kaosin e shkaktuar nga sulmi ajror.

"Ne ishim në shtëpi duke ngrënë mëngjes, të sigurtë e mirë me shëndet, kur ndërtesa jonë u godit nga sulmet ajrore. Fqinji ynë i cili ndodhej në makinë, e la atë në mes të rrugës dhe iku me vrap. Kur ai erdhi të merrte familjen e tij, ne u goditëm për të dytën herë dhe gratë ia mbathën në drejtime të ndryshme. Ishte një sulm i fuqishëm", tregon ai.

Ky ishte sulmi më i ri i koalicioni saudit që nga fillimi i luftës në Jemen tre vjet më parë.

Autoritetet njoftuan se javën e kaluar avionët luftarakë të koalicionit goditën një treg popullor në provincën veriore të Saada-së në Jemen, duke vrarë tetë veta, kryesisht gra.

Koalicioni ndërhyri në konfliktin e Jemenit në mars të vitit 2015 për të kthyer mbrapsht rebelët Houthi dhe për të mbështetur qeverinë e njohur ndërkombëtarisht.

Gjatë luftës janë vrarë mbi 10 mijë civilë jemenasë, ndërsa janë shpërngulur nga vendi 3 milionë të tjerë. (Haris)

Mrekulli
Lajmet Kryesore