Ish-kryeministri australian: Marrëdhëniet e paqëndrueshme Kinë-SHBA dëmtojnë botën

2018-03-28 10:00:44 CRI Komenti juaj Printoni

Ish-kryeministri australian Kevin Rudd thotë se marrëdhëniet e paqëndrueshme Kinë-SHBA janë të dëmshme jo vetëm për të dy vendet, por edhe mbarë botën.

Rudd, paralajmëroi gjithashtu rreziqet e një lufte tregtare, pas shpalljes së imponimit të tarifave nga presidenti Donald Trump.

"Unë nuk e kam kurrë mbështetur luftën e taksave, kurrë nuk e kam mbështetur luftën tregtare, sepse lufta tregtare është shumë lehtë të niset dhe shumë vështirë të ndalohet. Kështu që, unë jam i shqetësuar nga këto masa. Unë e kuptoj që Kina do të reagojë në një mënyrë, e kuptoj që Kina do të reagojë për këtë, por në fund, ne duhet të gjejmë një mënyrë për të risjellë stabilitet në marrëdhëniet ekonomike ShBA-Kinë," thotë Kevin Rudd.

Presidenti Trump vendosi imponimin e tarifave mbi importin e çelikut dhe aluminit, një veprim që pritet të ndikojë në prodhuesit kinezë.

Kreu amerikan gjithashtu njoftoi një paketë tarifash mbi importet kineze me një vlerë të përgjithshme prej 60 miliardë dollarësh, duke përmendur si shkak deficitin tregtar amerikan me Kinën.

Ndërkohë, Kina ka njoftuar tarifa për disa importe amerikane me vlerë të përgjithshme prej mbi 3 miliardë dollarësh.

Megjithatë, ish-kryeministri australian Kevin Rudd thotë se ka mundësi që të dy palët ta zgjidhin këtë çështje, pa nevojën e një lufte të plotë tregtare.

Qeveria kineze ka deklaruar se nuk dëshiron një luftë tregtare me ShBA-në, por do të marrë masa të vendosura për të mbrojtur interesat e veta.

Kina ka kërkuar gjithashtu që të dyja palët t'i ulin fërkimet tregtare nëpërmjet bisedimeve. (Jiang Lei/Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore