Tiranë: Ambasadorja kineze takohet me delegacionin arsimor shqiptar

2018-03-23 14:11:51 CRI Komenti juaj Printoni

Ambasadorja e Kinës në Shqipëri Jiang Yu u takua të enjten në Tiranë me delegacionin shqiptar të arsimit që do të vizitojë Kinën. Delegacioni përbëhet nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Shqipërisë Koli Bele, drejtues të Universitetit "Aleksandër Moisiu" të Durrësit, të Universitetit të Arteve të Tiranës, të Institutit "Konfuci" pranë Universitetit të Tiranës, të shkollës së mesme "Ali Demi" të Vlorës etj., si edhe drejtorët e pesë shkollave 9-vjeçare e të mesme ku jepet mësimi i gjuhës kineze. Të dy palët diskutuan mbi bashkëpunimin dhe shkëmbimet arsimore midis Kinës dhe Shqipërisë.

Ambasadorja Jiang Yu u shpreh se Ambasada e Kinës në Shqipëri ka organizuar për dy vjet me radhë delegacionin arsimor shqiptar për të vizituar Kinën, me qëllim që të shtohen shkëmbimet dhe kontaktet midis organeve arsimore, universiteteve dhe shkollave kineze e shqiptare dhe të ngrihet bashkëpunimi arsimor midis Kinës dhe Shqipërisë në një nivel të ri. Vitet e fundit, shkëmbimet arsimore midis Kinës e Shqipërisë kanë pasur një zhvillim të vrullshëm dhe kanë arritur suksese të dukshme. E gjithë kjo ka qenë një mbështetje e madhe për të dy palët që të nxisin në mënyrë të gjithanshme bashkëpunimin praktik në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë" dhe të "Bashkëpunimit 16+1".

Përfaqësuesja e diplomacisë kineze në Tiranë vuri në dukje se arsimi është baza për zhvillimin e mëkëmbjen kombëtare. Ajo e falënderoi palën shqiptare për përkrahjen për shkëmbimet arsimore midis dy vendeve dhe mësimdhënien e gjuhës kineze në Shqipëri. Znj. Jiang Yu vuri në dukje se vitet e fundit mësimdhënia e gjuhës kineze në Shqipëri ka pasur një zhvillim të madh. Janë shtuar pandërprerë shkollat ku jepet mësimi i gjuhës kineze dhe numri i studentëve që mësojnë gjuhën kineze dhe i studentëve shqiptarë në Kinë është shtuar. Në të njëjtën kohë, i është kushtuar rëndësi edhe mësimit të gjuhës shqipe në Kinë. Në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit është formuar qendra e studimit shqiptar, që është e para në Azi, dhe po ashtu edhe Universiteti i Studimeve Ndërkombëtare i Pekinit ka hapur mësimin e gjuhës shqipe. Ambasadorja Jiang Yu shpresoi se nëpërmjet kësaj vizite, delegacioni shqiptar do të zhvillojë thellësisht shkëmbimet me palën kineze dhe shkollat përkatëse për të thelluar më tej kontaktet dhe për të krijuar platformën e re për zhvillimin e më shumë shkëmbimeve akademike në të ardhmen.

Pala shqiptare e falënderoi Ambasadën e Kinës në Shqipëri që ka nxitur aktivisht shkëmbimet arsimore midis dy vendeve dhe shprehu gatishmërinë për të vendosë lidhje me shkollat përkatëse të Kinës. Përfaqësuesit e delegacionit u shprehën gjithashtu se populli shqiptar ka ndjenja të thella për Kinën. Vitet e fundit, me zhvillimin e shpejtë të marrëdhënieve kino-shqiptare, "vala e gjuhës kineze" është shtuar në Shqipëri. Gjithnjë e më shumë shkolla shqiptare kanë dëshirë të hapin mësimin e gjuhës kineze. Ata shprehën bindjen se me thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në fusha të ndryshme, do të shtohet pandërprerë nevoja për talente që njohin të dyja gjuhët. Pala shqiptare do të vazhdojë të marrë pjesë aktivisht në shkëmbimet arsimore midis Shqipërisë dhe Kinës për të përgatitur specialistë për zhvillimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Delegacioni i arsimit i Shqipërisë, i kryesuar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, do të bëjë këto ditë një vizitë në Pekin, Yanzhou dhe Shangai të Kinës dhe do të zhvillojë shkëmbime me sektorët arsimorë dhe shkollat e larta të këtyre tre qyteteve për forcimin e shkëmbimeve dhe të bashkëpunimit në fushën arsimore. (Du)

Mrekulli
Lajmet Kryesore