Kina shqyrton mundësinë e rritjes së tarifave mbi importet nga ShBA-ja

2018-03-23 10:29:49 CRI Komenti juaj Printoni

Ministria e Tregtisë e Kinës ka njoftuar propozimin për shtimin e tarifave mbi 3 miliardë dollarë amerikanë importe nga ShBA-ja, në përgjigje të vendosjes së tarifave nga presidenti Donald Trump për importet e çelikut dhe aluminit.

Në një deklaratë, Ministria bën të ditur se tarifat fillestare do të vendosen mbi rreth 1 miliard dollarë mallra importi "nëse Kina dhe Shtetet e Bashkuara nuk arrijnë një marrëveshje kompensimi tregtar". Tarifat prej 15 për qind do të vendosen mbi frutat e freskëta, frutat e thata, arrat, verën dhe tubat prej çeliku pa tegel saldimi.

Raundi i dytë i tarifave, prej 25 për qind, do të vendoset mbi rreth 2 miliardë dollarë importe, duke përfshirë mishin e derrit dhe aluminin e ricikluar, pas vlerësimit të mëtejshëm të efektit të tarifave të ShBA-së mbi importet kineze.

Në deklaratë thuhet se Kina do të ndërmarrë edhe veprim ligjor kundër ShBA-së në Organizatën Botërore të Tregtisë, duke bërë thirrje për dialog për të zgjidhur mosmarrëveshjen. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore