Kina e paralajmëron ShBA-në kundër dëmtimit të lidhjeve tregtare dypalëshe

2018-03-23 19:32:55 CRI Komenti juaj Printoni

Ministria e Tregtisë e Kinës u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të marrin vendime të kujdesshme, për të mos rrezikuar marrëdhëniet tregtare dypalëshe.

Duke i quajtur masat kufizuese të kohëve të fundit nga Shtetet e Bashkuara mbi Kinën "një precedent shumë i keq", një zëdhënës i Ministrisë tha se një gjë e tillë shkon kundër "interesave të Kinës, Shteteve të Bashkuara dhe botës në përgjithësi".

Kina nuk do të qëndrojë duarkryq kur sheh se të drejtat dhe interesat e saj të ligjshme cenohen, tha zëdhënësi.

"Ne jemi plotësisht të përgatitur për të mbrojtur me vendosmëri interesat tona", shtoi ai.

Me gjithë paralajmërimet e forta nga grupet e biznesit dhe ekspertët e tregtisë, presidenti i ShBA-së Donald Trump nënshkroi të enjten një memorandum, mbi bazën e të cilit mund të vendosen tarifa mbi deri 60 miliardë dollarë amerikanë importe nga Kina dhe kufizime mbi investimet kineze në Shtetet e Bashkuara.

Memorandumi është i bazuar në të ashtuquajturin hetim sipas "Seksionit 301" të Aktit të Tregtisë, lidhur me pretendimet mbi praktikat e pronësisë intelektuale dhe të transferimit të hamendësuar të teknologjisë nga Kina, të nisur nga administrata Trump në gushtin e vjetshëm.

"Ne e kundërshtojmë fort një gjë të tillë. Është një praktikë tipike e njëanshme dhe proteksioniste", tha zëdhënësi, i cili

theksoi se Kina as nuk dëshironte, po as nuk i frikësohej ndonjë lufte tregtare.

"Ne kemi besim dhe aftësi për t'u marrë me çdo sfidë," vuri në dukje ai.

Mrekulli
Lajmet Kryesore