Deklarata e Mogherinit: Rekomandim të pakushtëzuar e pozitiv nga KE-ja për Shqipërinë

2018-03-21 15:14:22 CRI Komenti juaj Printoni
Përfaqësuesja e lartë e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini shprehu të martën besimin se Komisioni Europian në tre apo katër muajt e ardhshëm do të japë një rekomandim të pakushtëzuar e pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Në dëgjesën me grupin "Miqtë e Shqipërisë në Parlamentin Europian", ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Mogherini shprehu po ashtu besimin se "Këshilli Europian do të vendosë në qershor që të çelë negociatat e më pas të fillojë dialogu".

"Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, është një proces integrimi i të gjithë Ballkanit Perëndimor në BE dhe nuk është një favor që ne bëjmë, është një çështje interesash edhe për vetë BE-në", tha Mogherini.

"Nuk më pëlqen fjala zgjerim se i bie të jetë qendër që zgjerohet, ndërkohë që unë mendoj që është një ribashkim i kontinentit tonë. Është vala e parë e integrimit në BE që në fakt kthehet në ADN-në e historisë së unionit, që është paqja e pajtimi," shtoi Mogherini.

Mogherini vlerësoi gjithashtu në fjalën e saj arritjet e pabesueshme të Shqipërisë.

"Kryeministri Rama foli për reformën në sistemin e drejtësisë. E kemi shoqëruar edhe këtu në Bruksel, ditë pas dite. Është e vërtetë. Kemi punuar së bashku për këtë dhe kemi arritur, ju keni arritur rezultate besoj sepse kemi punuar së bashku për këtë dhe për gjëra të tjera," shtoi kryediplomatja europiane. (ATSh/Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore