Kina: Nuk do të ketë asnjë fitues në luftën tregtare

2018-03-21 20:19:38 CRI Komenti juaj Printoni
45 shoqata tregtare amerikane, duke përfshirë Dhomën e Tregtisë të ShBA-së, i kërkuan bashkërisht ditët e fundit qeverisë amerikane të mos vendosë tarifa ndaj importeve kineze, duke paralajmëruar dëmet që ato i sjellin ekonomisë, konsumatorëve e aftësisë konkurruese të ShBA-së.

Duke komentuar ndaj reagimit të komunitetit të biznesit, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës Hua Chunying, ritheksoi se nuk do të ketë asnjë fitimtar në rast të një lufte tregtare.

Zëdhënësja shtoi se thelbi i marrëdhënieve ekonomiko-tregtare kino-amerikane është përfitimi i ndërsjellë, ndërsa nënvizoi se Kina nuk kërkon asnjëherë suficit tregtar:

"Përfitimi i ndërsjellë është thelbi i marrëdhënieve ekonomiko-tregtare kino-amerikane. Gjatë 40 vjetëve, bashkëpunimi ekonomiko-tregtar dypalësh u ka dhënë të dy vendeve një treg të madh dhe vende të shumta pune, duke pakësuar shumë shpenzimet e familjeve amerikane. Mosbalancimi ekonomik kino-amerikan shkaktohet nga shumë faktorë, ndaj mënyra më e drejtë e zgjidhjes së këtij problemi është zgjerimi i tregjeve respektive, forcimi i bashkëpunimit dhe jo nisja e luftës tregtare."

Hua ritheksoi se në rast të një lufte tregtar nuk do të ketë asnjë fitimtar. Kina, tha ajo, nuk dëshiron të zhvillojë luftë tregtare me asnjë vend, por nëse ndonjë palë e detyron Kinën të përfshihet në luftë tregtare, atëherë Kina nuk do t'i frikësohet luftës:

"Në këtë botë nuk ka asnjë njëri që mund të fitojë luftën pa u plagosur. Nëse ShBA-ja merr masa në dëm të interesave të Kinës, atëherë Kina do të marrë pa diskutim masat e duhura për të mbrojtur të drejtat e interesat e saj." (Fani/Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore