Industria hapësinore e Kinës nis "supervitin" 2018

2018-03-16 11:09:17 CRI Komenti juaj Printoni

 

Viti 2018 është viti i zhvillimit të shpejtë të industrisë hapësinore të Kinës. I ashtuquajturi "supervit" për këtë industri tashmë ka filluar.

Kina do të lëshojë një numër të madh satelitësh të sistemit satelitor "Beidou" . Në mbarë vitin do të lëshohen 18 satelitë "Beidou 3" për të ofruar shërbimet bazë për vendet pjesëmarrëse në nismën "Një brez, një rrugë".

Li Hong, drejtor i Institutit të Teknologjisë së Raketave Bartëse pranë Grupit të Shkencës dhe të Teknologjisë Hapësinore të Kinës, vuri në dukje se sivjet numri i raketave bartëse të sistemit "Marshimi i Madh" që do të lëshohen do të shënojë rekord historik. Parashikohet se sivjet këto raketa do të kryejnë 36 misione lëshimi të satelitëve, që është numri më i madh në historinë e industrisë hapësinore të Kinës. Ato janë të rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë dhe të shkencës e teknologjisë, u shpreh Li Hong.

(Li Hong)

Në vitin 2018, sektori i shkencës dhe i teknologjisë hapësinore i Kinës do të hyjë në epokën e re të stacionit hapësinor. Zv.drejtori i Zyrës së Projektit të Fluturimeve Hapësinore me Kozmonautë të Kinës Yang Liwei tha: "Nëpërmjet 25 vite përpjekjesh, Kina zotëron teknologjinë bazë hapësinore dhe ka kapacitetet për të ndërtuar stacionin hapësinor. Sivjet nuk ka misione të fluturimit të astronautëve në hapësirë, por detyrat e kërkimit shkencor, duke përfshirë ndërtimin e stacionit hapësinor, janë në një vit kyç."

(Yang Liwei)

Sivjet kabina bazë e stacionit hapësinor do të hyjë në fazën e studimit të modelit zyrtar dhe planifikohet të lëshohet rreth vitit 2020. Kryeprojektuesi i Projektit të Fluturimeve Hapësinore me Kozmonautë të Kinës Zhou Jianping thotë se stacioni hapësinor ndërkombëtar i vetëm në botë do të dalë jashtë funksionimit në vitin 2024. Në atë kohë Kina do të bëhet vendi i vetëm që do të ketë stacion hapësinor orbital.

Raketat bartëse të peshave të rënda janë mjete të nevojshme transporti për ndërtimin e infrastrukturës hapësinore, studimin e hapësirës dhe dërgimin e astronautëve në Hënë. Drejtori i Drejtorisë nr. 6 të Grupit të Shkencës dhe të Teknologjisë Hapësinore të Kinës Liu Zhihong u shpreh se tani motori i raketave bartëse 500-tonëshe është fazën kyçe të zhvillimit teknologjik dhe sivjet do të mbarojë prodhimi i tij, kurse në vitin 2030 do të realizohet fluturimi i parë me të.

(Liu Zhihong)

Këtë vit edhe industria hapësinore komerciale dëshmoi një rekord të ri. Më 19 janar, sateliti i parë i telekomanduar "Deqing nr.1", i emëruar sipas qytezës me këtë emër, u lëshua me sukses.

Kryetari i Grupit të Shkencës dhe të Teknologjisë Hapësinore të Kinës Gao Hongwei mendon se industria kineze e hapësirës ndodhet në fazën e kalimit nga "ndjekja" te "ecja së bashku" me industritë simotra të ShBA-së e Rusisë, kurse në të ardhmen do të kalojë nga "ecja së bashku" te "kryesimi". (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore