Analistët kinezë: Mund të realizohet objektivi i rritjes ekonomike 6.5%

2018-03-15 11:57:20 CRI Komenti juaj Printoni

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara të mërkurën, prodhimi industrial në Kinë në dy muajt e parë të këtij viti u shpejtua, konsumi ruajti prirjen pozitive, çmimet ishin të qëndrushme dhe punësimi u përmirësua vazhdimisht. Zëdhënësi i Zyrës Kombëtare të Statistikave të Kinës Mao Shengyong shprehu të mërkurën besimin se sivjet mund të realizohet objektivi i rritjes ekonomike prej 6.5%, si edhe objektivi i qeverisë për punësimin.

Sipas të dhënave të publikuara po atë ditë, konsumi në janar e shkurt ruajti prirjen e rritjes. Vëllimi i shitjes me pakicë të mallrave të konsumit u rrit 9.7% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ose 0.2 pikë përqindjeje më shumë sesa rritja në dy muajt e parë të vitit 2017 krahasuar me janar-shkurtin e 2016-s. Edhe shitjet me pakicë në internet regjistruan rritje të shpejtë. Në një konferencë shtypi të organizuar nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit të Kinës, zëdhënësi i Zyrës Kombëtare të Statistikave Mao Shengyong tha se roli drejtues i përmirësimit të strukturës së kosumit në Kinë po forcohet:

"Lidhur me konsumin e mallrave, konsumi i produkteve kozmetike cilësore dhe i pajisjeve elektro-shtëpiake u rrit me ritëm të shpejtë. Rritja e vëllimit të shitjes me pakicë të mallrave të konsumit regjistroi një shpejtësi rritjeje prej 0.2 pikë përqindjeje në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, falë rritjes së blerjes së automjeteve. Konsumi në sektorin e shërbimeve pati gjithashtu rritje të shpejtë. Numri i turistëve në mbarë vendin gjatë Festës së Pranverës u rrit 12.1 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe të ardhurat nga turizmi u shtuan 12.6%. Ndërkohë, vëllimi i shitjes së biletave të kinemave u rrit 60%."

Në aspektin e investimeve, në dy muajt e parë të vitit 2018, investimet në pasuritë fikse në Kinë u rritën 7.9% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe ruajtën një prirje të qëndrueshme rritjeje. Në kushtet e rritjes së vogël të kursit të këmbimit të RMB-së dhe të shtimit të faktorëve të papërcaktuar të jashtëm, import-eksport i Kinës u rrit 16.7 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017, nga të cilat eksportet u rritën 18% dhe importet 15%. Lidhur me këto, Mao Shengyong tha:

"Nga një anë mjedisi i jashtëm po ndryshon; nga ana tjetër, struktura e prodhimeve tona po përmirësohet. Kështu në vitin 2018 mendoj se situata e eksporteve kineze ka mundësi të ruajë rritjen e shpejtë dhe të qëndrueshme."

Sivjet objektivi i rritjes ekonomike të Kinës është afro 6.5%, i njëjtë me vitin e kaluar. Lidhur me papunësinë në qytet, objektivi është që të mbahet brenda 5.5%. Mao Shengyong u shpreh se, me përmirësimin e strukturës së ekonomisë kineze dhe me shpejtimin e zhvillimit të sektorit të shërbimeve, ai ka besim për realizimin e objektivave të rritjes ekonomike dhe të punësimit. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore