BE, Juncker-i i bën thirrje Britanisë të shpejtojë negociatat e Brexit-it

2018-03-14 09:48:02 CRI Komenti juaj Printoni

Ekzekutivi i Bashkimit Europian i bëri thirrje kryeministres britanike Theresa May që të përshpejtojë negociatat për largimin nga blloku dhe përcaktimin e marrëdhënies së ardhshme me 27 vendet anëtare.

Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker:

"Kryeministre May, na jep më shumë qartësi se si Mbretëria e Bashkuar e sheh marrëdhënien e saj të ardhshme me Bashkimin Europian!".

Juncker-i tha se BE-ja ka nevojë për "qartësi të mëtejshme" për çështje të tilla si marrëdhënia tregtare dhe kufiri i vetëm tokësor i BE-së me Mbretërinë e Bashkuar në Irlandën e Veriut.

"Bashkimi Europian, kjo shtëpi dhe 27 shtetet anëtarët qëndrojnë të vendosur dhe të bashkuar kur bëhet fjalë për Irlandën. Për ne kjo nuk është një çështje irlandeze, është një çështje europiane".

BE-ja dhe Britania shpresojnë të nënshkruajnë një marrëveshje këtë muaj për një periudhë kalimtare pas Brexit-it dhe të fillojnë bisedimet mbi marrëdhëniet e tyre të ardhshme këtë pranverë.

27 udhëheqësit e mbetur të BE-së do të miratojnë një qëndrim të përbashkët mbi marrëdhënien e tyre të ardhshme me Britaninë në Bruksel më 23 mars.

Britania votoi në një referendum për t'u larguar nga Bashkimi Europian në vitin 2016. Shkëputja është planifikuar të nisë në mars të vitit të ardhshëm.

Llogaritet se shkëputja mund t'i shkaktojë Britanisë një faturë financiare prej 37 miliardë paund. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore