Financimet e BE për Shqipërinë, mblidhet në Tiranë Komiteti i Monitorimit IPA

2018-03-14 08:53:52 CRI Komenti juaj Printoni

Komiteti i Monitorimit IPA u mblodh dje në Tiranë për të diskutuar mbi progresin në zbatimin e financimeve të BE-së për Shqipërinë. Takimi u bashkëkryesua nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati dhe Michela Matuella, Shefe e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Europian. Diskutime u fokusuan në programimin e financimeve të ardhshme dhe në efektivitetin e përgjithshëm, në cilësinë dhe koordinimin e zbatimit të programeve në vazhdim.

"BE-ja, që është donatori më i madh për Shqipërinë, ka rikonfirmuar përkushtimin e saj për ta mbështetur Shqipërinë në zbatimin e reformave, duke u përqendruar te qeverisja, drejtësia dhe shteti ligjor, ndërlidhja, konkurrenca dhe zhvillimi socio-ekonomik. BE-ja nënvizoi nevojën për të siguruar monitorimin dhe koordinimin e reformave, konsistencën mes strategjive dhe ndarjet e buxhetit, si dhe koordinimin e ngushtë me gjithë komunitetin e donatorëve në vend. Rëndësia e programeve rajonale të BE-së u theksua gjithashtu në funksion të gjashtë nismave më të rëndësishme të Komunikimit më të fundit të Komisionit për Ballkanin Perëndimor."

Përfaqësues të Shteteve Anëtare të BE-së dhe të shoqërisë civile, si dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar për Shoqërinë Civile morën pjesë si vëzhgues. (ATSH)

Mrekulli
Lajmet Kryesore