Bashkësia ndërkombëtare, vëmendje amendimit të Kushtetutës së Kinës

2018-03-13 11:02:48 CRI Komenti juaj Printoni

Sesioni i parë i legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës miratoi me votim "Amendimin e Kushtetutës të Republikës Popullore të Kinës." Lajmi u njoftua edhe nga mediat kryesore botërore. Përfaqësues të qarqeve të ndryshme të huaja e vlerësuan pozitivisht rishikimin e kushtetutës kineze, duke e quajtur atë në përputhje me kërkesat e kohës dhe që nxit vazhdimin e zhvillimit në epokën e re, duke pasur kështu rëndësi të madhe historike.

Lidhur me përfshirjen e shprehjes "Udhëheqja e Partisë Komuniste të Kinës është tipari më themelor i socializmit me karakteristika kineze" në Kushtetutë, përfaqësuesit e qarqeve të ndryshme jashtë Kinës mendojnë se një gjë e tillë do të konsolidojë epërsinë e sistemit të socializmit me karakteristika kineze dhe udhëheqjen e Partisë Komuniste dhe mund të garantojë që çështjet e ndryshme të Kinës të zhvillohen në drejtimin e duhur.

Alexey Maslov, profesor në Shkollën e Lartë të Ekonomisë pranë Universitetit Kombëtar të Kërkimeve të Rusisë, si dhe ekspert i çështjeve kineze, thotë se, shtimi në kushtetutë i përmbajtjes për zbatimin dhe forcimin e udhëheqjes së gjithanshme të Partisë Komuniste të Kinës do të jetë në favor të rritjes së ndërgjegjësimit për udhëheqjen e PKK-së në nivele të ndryshme dhe për forcimin e unitetit, si edhe krijimit të një sinergjie më të madhe për të të realizuar Ëndrrën Kineze të Rilindjes së Madhe të Kombit Kinez.

Kryeredaktori i gazetës kazake "Business Kazakhstan" Selik Korzybayev mendon se ndërtimi i socializmit me karakteristika kineze është rruga e zhvillimit që ka ndjekur Partia Komuniste e Kinës, partia në pushtet në Kinë, dhe kjo rrugë sipas tij përputhet me situatën e Kinës. Sipas tij, shtimi në Kushtetutë i shprehjes "Udhëheqja e Partisë Komuniste të Kinës është tipari më themelor i socializmit me karakteristika kineze" është në përputhje me kërkesat e kohës dhe situatën në Kinë, si edhe me interesat e popullit kinez.

Lidhur me përfshirjen në Kushtetutën e Kinës të shprehjeve "Ndjekja e rrugës së zhvillimit paqësor dhe zbatimi i strategjisë së hapjes me përfitime të ndërsjella", "Nxitja e krijimit të bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit" etj., qarqet e ndryshme jashtë Kinës mendojnë se ato janë në përshtatje me prirjet e epokës së re të "paqes, zhvillimit, bashkëpunimit dhe përfitimeve të përbashkëta" dhe se Kina do të japë një ndihmesë më të madhe për ruajtjen e paqes në botë dhe për nxitjen e zhvillimit të përbashkët.

Makoto Nishida, sekretar i përgjithshëm i Partisë "Komeito" në dhomën e ulët të parlamentit të Japonisë, shprehet se, me hyrjen e socializmit me karakteristika kineze në epokën e re, Kina ka ndikim më të madh në çështjet ndërkombëtare. Sipas tij, përfshirja në Kushtetutë e shprehjeve "Ndjekja e rrugës së zhvillimit paqësor dhe zbatimi i strategjisë së hapjes me përfitime të ndërsjella", "Nxitja e krijimit të bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit" etj., janë tregues të rëndësishëm për objektivin e arritjes së paqes në botë dhe se Kina ka dëshirë të fortë për të dhënë kontribut për bashkësinë e fateve të përbashkëta të njerëzimit.

David Gosset, specialist francez për problemet ndërkombëtare, si dhe krijues i Forumit Kinë-Evropë, u shpreh se në situatën që multilateralizmi po kërcënohet, përfshirja në kushtetutë e shprehjes "Nxitja e krijimit të bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit" ka rëndësi të madhe dhe tregon angazhimin e Partisë Komuniste të Kinës dhe të qeverisë kineze për qeverisjen globale. Ecja nga Kina në rrugën e zhvillimit paqësor dhe me leverdi të ndërsjellë është bërë nxitës i zhvillimit dhe i sigurisë në botë. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore