Stoltenberg vlerëson kontributin e Shqipërisë në misionet paqeruajtëse

2018-02-15 09:40:49 CRI Komenti juaj Printoni

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka zhvilloi një takim të veçantë me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, që mbahet në datat 14 dhe 15 shkurt në Bruksel.

"E informova sekretarin e Përgjithshëm mbi angazhimin e Shqipërisë, që brenda vitit 2024, 2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto t'i dedikohet fushës së mbrojtjes, si edhe rikonfirmova rritjen e angazhimit të vendit tonë në të gjitha misionet e NATO-s dhe BE-së, apo edhe në misionin e ri kombëtar siç janë emergjencat civile", tha ministrja Xhaçka pas takimit.

Nga ana e tij, Stoltenberg, vlerësoi angazhimin e Shqipërisë për të përmbushur detyrimet e ndërmarra në kuadër të buxhetit, dedikuar në fushën e mbrojtjes.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, njëherësh vlerësoi kontributin njerëzor të vendit tonë në misionet paqeruajtëse, për përkushtimin dhe profesionalizimin e ushtarakëve tanë.

Takimi i ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s që po zhvillohet këto dy ditë në Bruksel, merr një rëndësi të veçantë, pasi i paraprin takimeve përgatitore të Samitit të kryetarëve të shteteve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, që do të mbahet në Bruksel në 11 dhe 12 korrik. (ATSH)

Mrekulli
Lajmet Kryesore