Kina shpreson që Koreja e Veriut dhe ShBA-ja të zhvillojnë kontakte

2018-02-13 21:02:36 CRI Komenti juaj Printoni
Duke komentuar për thëniet e fundit të palëve lidhur me gjendjen në Gadishullin Korean, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Geng Shuang u shpreh të martën në Pekin se Kina shpreh shpresën se Koreja e Veriut dhe ShBA-ja do të kapin shansin e tanishëm dhe do të shfaqin sinqeritetin e tyre, duke hedhur hapa kuptimplotë.

Sipas njoftimeve, Ministria e Ribashkimit e Koresë së Jugut tha se në të ardhmen, pala jugkoreane do t'i kushtojë më shumë vëmendje nxitjes së zhvillimit të dialogut midis Koresë së Veriut e ShBA-së. Njëkohësisht, zv.presidenti amerikan Mike Pence u shpreh se SHBA-ja e Koreja e Jugut kanë arritur mendim unanim që pala jugkoreane do të ketë së pari kontakte me palën verikoreane, dhe nëse është e mundur, ShBA-ja do të ketë më vonë kontakte me Korenë e Veriut. Lidhur me këtë, Geng Shuang theksoi se, për të zgjidhur problemin e Gadishullit Korean, nuk duhet të mënjanohen dialogu e bisedimet, përkundrazi, duhet të nxitet shndërrimi i sanksioneve në forcën e bisedimeve:

"Pala kineze është gjithmonë e mendimit se problemi i Gadishullit Korean duhet të zgjidhet nëpërmjet dialogut e bisedimeve dhe shpreh shpresën se do të vazhdojë prirja e kontakteve midis dy Koreve, e filluar për shkak të Lojërave Olimpike Dimërore, duke hapur gradualisht derën e dialogut politik midis dy palëve. Njëkohësisht, kyçi i problemit të Gadishullit Korean është mosmarrëveshja midis Koresë së Veriut e ShBA-së, prandaj Kina shpreson se kontaktet midis dy Koreve do të nxitin në kohë kontaktet midis Koresë së Veriut e ShBA-së."

Geng Shuang shprehu shpresën gjithashtu se bashkësia ndërkombëtare do të nxitë më tej zhvillimin në drejtimin e duhur të gjendjes në Gadishullin Korean. (Fani/Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore