Turneu i shfaqjes "Happy Chinese New Year 2018" në EQL përfundon në Shqipëri

2018-02-08 17:24:42 CRI Komenti juaj Printoni

Me rastin e Festës së Pranverës (Viti i Ri Kinez) dhe të 10-vjetorit të binjakëzimit mes bashkive të Pekinit dhe Tiranës, trupa e Akademisë së Vallëzimit të Pekinit interpretoi të martën në skenën e Universitetit të Arteve të Tiranës baletin "Emocion Nuo". Shfaqja ishte ndalesa e fundit e turneut "Happy Chinese New Year 2018" ("Gëzuar Vitin e Ri Kinez 2018") në pesë vende të Europës Qendrore e Lindore.

I ngarkuari i përkohshëm me punë i Ambasadës kineze në Shqipëri Bai Yunbin u shpreh se vitet e fundit, marrëdhëniet kino-shqiptare janë zhvilluar mjaft dhe shkëmbimet kulturore kanë qenë të shumëllojshme, teksa lidhjet mes dy popujve janë bërë më të ngushta dita-ditës. Si një dritare për ta njohur botën me Kinën, si dhe për të pasur shkëmbime e për të mësuar nga njëri-tjetri, veprimtaria e përvitshme "Gëzuar Vitin e Ri Kinez" ka ardhur përsëri në "vendin e shqiponjave", për t'i ofruar popullit shqiptar një festë kulturore që kapërcen kufijtë, u shpreh z. Bai.

"Shfaqja e artistëve kinezë u dhuroi shikuesve artin e mrekullueshëm, i njohu shqiptarët me bukurinë unike të qytetërimit pesëmijëvjeçar nga Lindja dhe solli gëzimin dhe paqen e festës tradicionale kineze për të gjithë," shtoi diplomati kinez.

Z. Bai Yunbin theksoi gjithashtu që sivjet është 10-vjetori i binjakëzimit të bashkisë së Pekinit dhe asaj të Tiranës. Në këta dhjetë vjet, vizitat e ndërsjella ndërmjet të dy kryeqyteteve janë shpeshtuar dhe shkëmbimet e bashkëpunimi janë zgjeruar në fusha të ndryshme. Këto zhvillime kanë luajtur një rol pozitiv për të pasuruar marrëdhëniet dypalëshe dhe për të konsoliduar miqësinë kino-shqiptare.

"Ne shpresojmë që të dyja palët do të vazhdojnë të forcojnë komunikimin miqësor, të gjejnë më shumë mundësi bashkëpunimi dhe të arrijnë më shumë rezultate për të mirën e dy popujve tanë, për t'u dhënë energji të re marrëdhënieve kino-shqiptare," theksoi i ngarkuari i përkohshëm me punë i Ambasadës kineze në Shqipëri Bai Yunbin .

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i përcolli popullit kinez urimet me rastin e Vitit të Ri. Veliaj tha se ai vetë është një "fans" i kulturës kineze dhe mirëpret ardhjen e më shumë grupeve të artistëve kineze në Shqipëri për vizitë e për shfaqje.

Ai nënvizoi se bashkia e Tiranës dëshiron të thellojë bashkëpunimin kulturor e shkëmbimet njerëzore me palën kineze. Me rastin e 10-vjetorit të binjakëzimit të dy kryeqyteteve, në kuadër të mekanizmit të "Bashkëpunimit 16+1", mund të zgjerohet gjithashtu bashkëpunimi mes Tiranës e Pekinit edhe në fushën ekonomiko-tregtare.

"Emocion Nuo" është një pjesë baleti që mbështetet mbi kulturën "Nuo" të Kinës, një trashëgimi kulturore jomateriale. Ai ndërthur kulturën e sakrificës gjatë Vitit të Ri Kinez me kërcimin modern. Baleti ndahet në nëntë pjesë. Artistët e veshur me kostume dhe maska të pikturuara, me lëvizjet e trupit, tregojnë ndërthurjen e natyrës, njeriut dhe shpirtit hyjnor, një gjendje që synonin kinezët e lashtë.

Në shfaqje, përveç z. Bai Yunbin dhe z. Erion Veliaj, ishin të pranishëm edhe nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Vasilika Hysi, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri, kryetari i Shoqatës Kulturore "Alb-China" Iljaz Spahiu, pedagogë dhe studentë të universiteteve të Vlorës, Durrësit dhe Tiranës, si dhe qytetarë kinezë që jetojnë në Shqipëri.

Artistët nga Akademia e Vallëzimit e Pekinit patën gjithashtu shkëmbime me homologët e tyre nga Akademia e Dancit dhe Universiteti i Arteve. (Wang Xianya)

Mrekulli