Qeveria, 20 milionë euro subvencionim në bujqësi

2018-01-31 11:02:18 CRI Komenti juaj Printoni

 

Qeveria shqiptare ka planifikuar këtë vit 20 milionë euro për subvcencionimin në bujqësi, ku vetëm për serat janë 8 milionë euro, ndërsa nga fondet e Bashkimit Europian janë edhe 93 milionë euro të tjerë.

Mbështetja e qeverisë do të orientohet drejt kulturave bujqësore që kanë treg dhe sigurojnë të ardhme financiare për familjen fermere.

Fermerët e Divjakës janë shembulli më i mirë i përkushtimit ndaj tokës dhe punës në fshat. Kryeministri Edi Rama ishte dje në Divjakë, në një prej serave që kultivojnë fidanë.

Rama tha se një organizim i mençur i fermerëve është sfidë dhe njëkohësisht garancia për të qenë të suksesshëm në treg. Për këtë, Kryeministri theksoi se duhet të ndiqet një linjë strategjike planifikimi dhe bashkëpunimi. Si mbështetje, qeveria do të heqë TVSH-në për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor.

Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimo Kote tha se çdo fermeri i subvencionohet çdo fidan i mbjellë në masën 50% dhe se sfidat e radhës janë certifikimi i produkteve dhe rritja e standardeve për eksport.

"Qeveria shqiptare sivjet me skemën e subvencioneve ka planifikuar 20 milionë euro për të gjitha, kurse për serat dhe perimet janë 8 milionë euro nga buxheti i shtetit dhe nga IPARD janë 93 milionë euro, ku futen këtu edhe rreth 10 milionë euro që do të përdoren për serat. Subvencion tjetër për fermerët është edhe certifikimi i produkteve. Ne mund të prodhojmë shumë, por mungon certifikimi. Por vitin që vjen do të jenë në skemë 100 % të gjithë fermerët, sepse duhet që këtë produkt ta eksportojmë. Ne u subvencionojmë të gjithë fermerëve fidanët në masën 50 %, 120 lekë të vjetra", tha ai. (ATSH)

Mrekulli
Lajmet Kryesore