Ministria kineze e Mbrojtjes i kërkon ShBA-së të respektojë sovranitetin e Kinës

2018-01-21 09:23:00 CRI Komenti juaj Printoni

Ministria e Mbrojtjes e Kinës e ka paralajmëruar të shtunën palën amerikane të respektojë sovranitetin e Kinës, pas lundrimit të mërkurën të një anijeje të Marinës amerikane pranë ishullit Huangyan në Detin e Kinës Jugore.

Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Mbrojtjes Wu Qian u shpreh:

"Tani, me përpjekjet e përbashkëta të Kinës dhe vendeve të ASEAN-it, gjendja në Detin e Kinës Jugore ka vazhduar një prirje pozitive dhe mbetet e qëndrueshme. Në këtë sfond, pala amerikane ka dërguar në shumë raste anije, që kanë hyrë ilegalisht në ujërat rreth ishujve dhe shkëmbinjve nënujorë të Kinës në Detin e Kinës Jugore, duke rrezikuar sigurinë e anijeve e të personelit të të dy palëve. Kjo gjë ka kërcënuar gjithashtu sovranitetin e sigurinë e Kinës, ka dëmtuar paqen e stabilitetin rajonal dhe shkon në kundërshtim me zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe ushtrive të tyre".

Ministria e Mbrojtjes ka paralajmëruar gjithashtu se ushtria kineze do të intensifikojë patrullimet e saj.

Marina e ShBA-së zhvillon herë pas here ato që i quan si stërvitje për "lirinë e lundrimit", ku anijet e saj lundrojnë në ato që Kina i cilëson si ujërat e veta territoriale në Detin e Kinës Jugore.

Këto veprime zakonisht përfundojnë pa incidente, por rritin tensionet, pasi Kina i vlerëson si një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit të saj në rajon.

Mrekulli
Lajmet Kryesore