OKB-ja bën thirrje për ruajtjen e marrëveshjes bërthamore iraniane

2018-01-18 10:53:59 CRI Komenti juaj Printoni

Me rastin e përvjetorit të dytë të zbatimit të marrëveshjes bërthamore të Iranit, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres publikoi një deklaratë të mërkurën nëpërmjet zëdhënësit Dujarric, ku bëri thirrje për ruajtjen e kësaj marrëveshjeje bërthamore.

Në deklaratë thuhet se Guterres është i bindur se marrëveshja bërthamore është rruga më e mirë për të garantuar se programi bërthamor i Iranit është i kufizuar për qëllime paqësore, është një arritje e madhe në fushën e mospërhapjes së armëve bërthamore dhe ka dhënë kontribut të madh për paqen e rajonit dhe botës. Guterres vuri në dukje se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike disa herë ka konfirmuar se Irani ka përmbushur angazhimet e tij në këtë marrëveshje.

Guterres bëri thirrje gjithashtu për miratimin e mekanizmit të përcaktuar në marrëveshje për zbatimin e marrëveshjes bërthamore sipas mënyrave të caktuara në të. Ai mendon se çështjet që nuk lidhen direkt me këtë marrëveshje duhet të zgjidhen pa asnjë paragjykim, për të ruajtur këtë marrëveshje dhe arritjet përkatëse.

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi më 12 janar se do të shtyjë për herë të fundit afatin e imunitetit të sanksioneve ndaj Iranit, duke kërkuar ndryshimin e kushteve të marrëveshjes bërthamore, për të rritur kufizimet e programit raketor të Iranit. Ai tha se nëse nuk mund të arrihet një marrëveshje siç pritet nga Uashingtoni, SHBA-ja do të tërhiqet nga kjo marrëveshje. Më pas, Irani deklaroi në mënyrë të vendosur se nuk do të zhvillojë bisedime për këtë marrëveshje bërthamore.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore