Video/  Dy Koretë do të vazhdojnë bisedimet e punës të nivelit të lartë

2018-01-17 17:42:27 CRI Komenti juaj Printoni

Një delegacion i Koresë së Jugut u nis të mërkurën për të vazhduar bisedimet e punës të nivelit të lartë me homologët e Koresë së Veriut, për të diskutuar mbi pjesëmarrjen e sportistëve koreanoveriorë në Olimpiadën Dimërore që do të mbahet në Pyeongchang.

Delegacioni, i udhëhequr nga zëvendësministri i Ministrisë së Bashkimit i Koresë së Jugut, Chun Hae-sung, do të marrë pjesë në bisedimet në Shtëpinë e Paqes në anën jugore të fshatit kufitar, ku u mbajtën bisedimet e para zyrtare në më shumë se dy vjet.

Gjatë bisedimeve të hënën, Koreja e Veriut ra dakord të dërgojë një orkestër me 140 instrumentistë për të interpretuar gjatë Lojërave Olimpike Dimërore.

Përveç sportistëve e orkestrës, Koreja e Veriut ka në plan të dërgojë edhe një delegacion të madh në Lojërat Olimpike. Sipas njoftimeve të medias, Koreja e Jugut kërkon të formojë një ekip të përbashkët të hokejit në akull për femra me Korenë e Veriut.

"Ne do të bëjmë të mundur që Lojërat Olimpike Dimërore të Pyeongchang-ut të jenë një Olimpiadë vërtet paqësore përmes pjesëmarrjes së Koresë së Veriut. Ne do të marrim pjesë në bisedime me qetësi, bazuar në frymën e respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, për të krijuar kështu mundësi për të përmirësuar marrëdhëniet midis dy vendeve dhe për të vendosur paqen në Gadishullin Korean," tha zëvendësministri koreanojugor Chun Hae-sung.

Mrekulli
Lajmet Kryesore