Tusk-u e nxit Britaninë të tërheqë vendimin për largimin nga BE-ja

2018-01-17 09:45:25 CRI Komenti juaj Printoni

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, i ka bërë thirrje Britanisë të ndryshojë vendimin për t'u larguar nga BE-ja. Duke folur të martën në Parlamentin Europian në Strasburg, Tusk-u tha:

"Nëse qeveria e Mbretërisë së Bashkuar i mbetet vendimit të saj për t'u larguar, 'Brexit'-i do të bëhet realitet, me të gjitha pasojat e tij negative, në mars të vitit të ardhshëm, nëse nuk ka një ndryshim mendimi nga miqtë tanë britanikë. A nuk ishte vetë David Davis-i që tha: 'Nëse një demokraci nuk e ndryshon dot mendjen, ajo nuk është më demokraci.' Ne, këtu në kontinent, nuk kemi ndryshuar mendim. Zemrat tona janë ende të hapura për ju."

Britania pritet të largohet nga BE-ja brenda marsit të vitit 2019, por negociatat mbi marrëveshjen e "Brexit"-it duhet të përfundojnë në tetorin e sivjetshëm.

Tusk-u vuri në dukje po ashtu krerët e BE-së kanë nevojë ta kenë më të qartë mënyrën si i mendon Londra marrëdhëniet e ardhshme me Unionin:

"Sot na duhet një qartësi më e madhe për vizionin e Britanisë së Madhe. Pas kësaj, udhëheqësit do të takohen dhe do të vendosin për mënyrën se si e sheh BE-ja marrëdhënien e saj të ardhshme me Mbretërinë e Bashkuar si një vend i tretë. Kjo do të thotë gjithashtu një sërë udhërrëfyesish të rinj. Puna më e vështirë është ende përpara nesh dhe koha është e kufizuar."

BE-ja po këmbëngul për një afat deri në fund të vitit 2020, kur përfundon periudha e buxhetit afatgjatë të saj.

Mrekulli
Lajmet Kryesore