Kinë, tregtia e jashtme shënon rekord 6-vjeçar

2018-01-16 16:09:07 CRI Komenti juaj Printoni

Në vitin 2017 tregtia e jashtme e Kinës doli nga gjendja e rënies për dy vjet me radhë dhe pati një rritje të papritur me zgjerimin e tregut ndërkombëtar, duke luajtur rol të rëndësishëm për rimëkëmbjen e ekonomisë e tregtisë globale. Parashikohet se në vitin 2018 tregtia e jashtme e Kinës do të vazhdojë të ruajë prirjen e rritjes, por me një ritëm relativisht të ngadalshëm.

Pas rënies dy vjet me radhë, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë së jashtme të Kinës në vitin 2017 arriti në 27.79 trilionë juanë, duke u shtuar 14.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo rritje shënoi vlerën rekord në gjashtë vjetët e fundit.

Drejtori i Drejtorisë së Tregtisë së Jashtme në Ministrinë e Tregtisë të Kinës, Ren Hongbin, tha të hënën se, në kohën e konsolidimit të tregjeve tradicionale, si ShBA-ja, BE-ja dhe Japonia, eksportet e Kinës në Brazil, Indi, Rusi, Afrikën e Jugut dhe shumë vende përgjatë "Një Brez, Një Rrugë" patën një rritje të shpejtë dyshifrore. Duke analizuar arsyet, Ren shprehet:

"Faktori i parë është rimbëkëmbja e tregjeve ndërkombëtare, kurse faktori i dytë është qëndrueshmëria e ekonomisë së brendshme, që ka nxitur shtimin e vazhdueshëm të importit. Përmirësimi i tregtisë së jashtme është gjithashtu rezultat i politikave përkatëse të Këshillit të Shtetit dhe i ristrukturimit të kompanive kineze. Krahas këtyre arsyeve, edhe baza krahasuese relativisht e ulët e ndihmoi rritjen e tregtisë së import-eksportit në vitin 2017."

Nga të dhënat e fundit statistikore del se Kina pritet të ruajë për të nëntin vit radhas statusin si numri një në botë për eksportin e mallrave dhe numri dy për importin.

Sipas "Parashikimit për ekonominë botërore 2018", të publikuar kohët e fundit nga Banka Botërore, ekonomia botërore pritet të rritet 3.1% në vitin 2018. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe organizata të tjera tregohen optimiste për rritjen e ekonomisë botërore sivjet.

Për situatën ekonomike në vitin 2018, shumë insitucione ndërkombëtare propozojnë që vendet e ndryshme duhet të thellojnë reformat, duke përfituar nga ky rast shumë i mirë. Disa ditë më parë, zëdhënësi i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave të Kinës Huang Songping u shpreh se sivjet tregtia e jashtme e Kinës do ta ketë të vështirë të ruajë rritjen dyshifrore, por cilësia dhe efektiviteti pritet të ngrihen:

"Në përgjithësi, ekonomia botërore ka mundësi të vijojë rimëkëmbjen në vitin 2018 dhe ekonomia kineze do të vazhdojë të ruajë prirjen e mirë dhe qëndrueshmërinë, gjë që është në favor të tregtisë së jashtme. Por njëkohësisht, në mjedisin ndërkombëtar ka shumë faktorë të pasigurt dhe baza krahasuese e vitit të kaluar është relativisht e madhe. Në këto rrethana, është e vështirë të ruhet rritja dyshifrore në tregtinë e jashtme, por Kina do të përpiqet të ngrejë cilësinë dhe efektivitetin në këtë drejtim." (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore