Ministri i Jashtëm i Kinës: Financimi  kinez nuk do t'u shtojë borxhet vendeve afrikane

2018-01-15 17:11:39 CRI Komenti juaj Printoni
Pas bisedimeve me homologun e tij të Angolës Manuel Domingos Augusto, ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi foli në konferencën e përbashkët për shtyp për tre parimet e Kinës në përkrahjen financiare ndaj vendeve afrikane dhe hodhi poshtë thëniet që "financimi kinez do t'u shtojë borxhet vendeve afrikane."

Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi ka hedhur poshtë të dielën akuzat për "rritjen e borxhit të vendeve afrikane nga financimi i Kinës", duke shpjeguar tre parimet e përkrahjes financiare të Kinës ndaj vendeve afrikane.

Në një konferencë shtypi të zhvilluar në Luanda pas takimit me ministrin e Jashtëm të Angolës, Manuel Domingos Augusto, Wang i quajti si të pabaza zërat se ndihma financiare e Kinës ndaj vendeve afrikane shkakton rritjen e borxhit të këtyre vendeve dhe bëhet për arsye politike. Ai vuri në dukje se vitet e fundit, me zgjerimin e bashkëpunimit kino-afrikane, Kina ka shtuar përkrahjen financiare për vendet afrikane, por duke zbatuar gjithmonë disa parime themelore:

"Së pari, kjo përkrahje u përgjigjet nevojave të zhvillimit të vetë Afrikës. Në fazën fillestare të rritjes ekonomike dhe industrializimit të çdo vendi, ka një kërkesë shumë të madhe për kapitale, dhe nga kjo nuk bën përjashtim as Afrika. Sipas vullnetit të vendeve afrikane, Kina u ka ofruar atyre përkrahje me financim, duke dhënë ndihmë në kohën e duhur për zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendeve afrikane. Kjo ndihmë është pranuar dhe mirëpritur nga vendet e ndryshme afrikane."

Shefi i diplomacisë kineze foli më tej për dy parimet e tjera të ndihmës së Kinës. Një prej tyre është se Kina nuk vendos asnjë kusht politik. Kina ka një histori të ngjashtme me vendet afrikane. Në të kaluarën fati i ekonomisë kineze kontrollohej nga të huajt dhe Kina ka pësuar shtypje dhe trajtim të pabarabartë, prandaj ndihma e Kinës për Afrikën respekton vendet afrikane, pa përsëritur atë që kanë bërë vendet perëndimore.

Parimi i tretë është se Kina ngul këmbë në përfitimet e përbashkëta. Bashkëpunimi kino-afrikan është një bashkëpunim Jug-Jug, karakteristikë e rëndësishme e të cilit është trajtimi i barabartë dhe përfitimet e përbashkta. Ky bashkëpunim mund të jetë afatgjatë dhe përputhet me interesat e zhvillimit të përbashkët të të dy palëve, tha Wang Yi.

Wang Yi theksoi gjithashtu se borxhet ekzistuese të një pjesë vendesh afrikane janë pasoja historike dhe rruga për zgjidhjen e këtyre borxheve është e qartë, që të ndjekë rrugën e zhvillimit të vazhdueshëm dhe të realizohet zhvillimi i ekonomisë së diversifikuar. Këtë pala kineze e ka përkrahur me vendosmëri dhe është e gatshme të bëjë përpjekje për ngritjen e aftësisë së vendeve afrikane në zhvillimin e pavarur dhe të vazhdueshëm. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore