Kryediplomatët europianë ritheksojnë angazhimin ndaj marrëveshjes bërthamore me Iranin

2018-01-12 09:44:21 CRI Komenti juaj Printoni

 

 

Diplomatët e lartë europianë i kanë ritheksuar angazhimin e tyre ndaj marrëveshjes bërthamore iraniane, ndërsa Shtëpia e Bardhë pritet të shqyrtojë mundësinë e rivendosjes së sanksioneve kundër Iranit.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini shprehet se marrëveshja po funksionon dhe se BE-ja është e angazhuar në zbatimin e saj:

"Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për të mbështetur zbatimin e plotë dhe efektiv të marrëveshjes, duke përfshirë edhe sigurinë që heqja e sanksioneve bërthamore ka një ndikim pozitiv në marrëdhëniet ekonomike e tregtare me Iranin, duke përfshirë përfitimet për popullin iranian".

Ajo shtoi se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka konfirmuar në nëntë raportet e veta se Irani e ka respektuar plotësisht marrëveshjen.

Komentet e saj Mogherini i bëri pas bisedimeve në Bruksel midis ministrave të jashtëm të Britanisë, Francës e Gjermanisë me homologun e tyre iranian.

Presidenti i ShBA-së Donald Trump njoftoi tetorin e kaluar se kishte vendosur të "decertifikonte" zbatimin nga Teherani të marrëveshjes bërthamore të arritur në vitin 2015.

Trump pritet të vendosë të premten nëse ShBA-ja do të ushtrojë sanksione lidhur me energjinë ndaj Iranit.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015, Irani duhej të kufizonte programin e vet bërthamor në shkëmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike ndërkombëtare. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore