Tiranë: Ambasadorja kineze Jiang Yu takon ministrin e Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj

2018-01-11 17:28:54 CRI Komenti juaj Printoni

Ambasadorja e Kinës në Shqipëri Jiang Yu u takua të mërkurën me ministrin e Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë Arben Ahmetaj dhe diskutoi me të lidhur me bashkëpunimin pragmatik ekonomik e tregtar midis Kinës dhe Shqipërisë.

Ambasadorja Jiang Yu u shpreh se zbatimi i nismës "Një brez, një rrugë" dhe "Bashkëpunimi 16+1" po vijojnë në mënyrë të rregullt dhe bashkëpunimi midis Kinës dhe Shqipërisë ndodhet në një periudhë rritjeje. Në atmosferën pozitive të rritjes së qëndrueshme të tregtisë midis dy vendeve dhe të shtimit të investimeve kineze në Shqipëri, edhe shkëmbimet midis kompanive kineze dhe atyre shqiptare po thellohen nga dita në ditë. Këshilli për Nxitjen e Tregtisë Ndërkombëtare i Kinës organizoi për herë të parë mbi 20 kompani kineze të marrin pjesë në Panairin e 24-t Ndërkombëtar të Tiranës, gjatë të cilit pati edhe një takim biznesi, ku morën pjesë afro 80 kompani kineze dhe shqiptare, duke arritur një numër konsensusesh për bashkëpunim. Përveç kësaj, gjatë Samitit të 6-të të Liderëve Kinë-Europë Qendrore dhe Lindore, Kina dhe Shqipëria nënshkruan mjaft dokumente bashkëpunimi në fushën e doganave, energjisë së re etj. Të gjitha këto kanë zgjeruar më tej fushat e bashkëpunimit midis dy vendeve, që pritet të arrijë rezultate të reja në të ardhmen.

Ambasadorja kineze theksoi që 2018-a është viti i parë i zbatimit të frymës së Kongresit të 19-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës. Muajin e kaluar u zhvillua Mbledhja Qendrore e Punës Ekonomike e Kinës, ku u rikonfirmua koncepti i ri i zhvillimit si përmbajtje kryesore e Mendimit Ekonomik të Presidentit kinez Xi Jinping në epokën e re të socializmit me karakteristika kineze. Nxitja e formimit të strukturës së re me hapje të gjithanshme do të jetë një prej punëve përparësore të qeverisë kineze në të ardhmen. Në vitin 2018, objektivi i përbashkët si i qeverisë kineze, ashtu edhe asaj shqiptare, për arritjen e zhvillimit dhe të mirëqenies, janë baza solide të bashkëpunimit ekonomik e tregtar kino-shqiptar. Të dy palët duhet të shfrytëzojnë më së miri platformën e Komisionit të Bashkëpunimit Ekonomiko-Tregtar në rang ministror, në mënyrë që të arrijnë më shumë fryte bashkëpunimi.

Ambasadorja Jiang Yu shtoi se në qershorin e sivjetshëm do të zhvillohet në Ningbo të Kinës Konferenca e 3-të Ministrore e Kinës dhe e Vendeve të Europës Qendrore e Lindore për Promovimin e Bashkëpunimit Tregtar dhe Ekonomik, kurse në nëntor në Shangai do të mbahet Panairi i Parë Ndërkombëtar i Importit i Kinës. Këto dy ngjarje janë një mundësi e mirë për Shqipërinë për të paraqitur imazhin e saj kombëtar, për të promovuar burimet e saj të pasura turistike dhe për të nxitur tregtinë me Kinën.

Kryediplomatja kineze në Shqipëri shprehu shpresën që, me anë të konsultimeve, Kina dhe Shqipëria do të vazhdojnë shfrytëzimin e mekanizmave ekzistues të bashkëpunimit, do të ndërthurin projektet e zhvillimit të njëra-tjetrës, do të thellojnë bashkëpunimin pragmatik dhe do të vënë më tej në jetë potencialet e këtij bashkëpunimi. Bashkëpunimi ekonomiko-tregtar mes dy vendeve, si motor i zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe, do t'i japë më shumë energji zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të miqësisë kino-shqiptare.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë i Shqipërisë Arben Ahmetaj u shpreh se qeveria shqiptare i kushton rëndësi bashkëpunimit me palën kineze në fusha të ndryshme. Ai siguroi për angazhimin e palës shqiptare në punët përgatitore për Komisionin e Bashkëpunimit Ekonomiko-Tregtar, i cili sipas ministrit, do të jetë frutdhënës. Z. Ahmetaj vuri në dukje gjithashtu vullnetin e Shqipërisë për të marrë pjesë aktive në edicionet e sivjetshme të Panairit të Investimeve dhe të Tregtisë Kinë-Vendet e EQL-së në Ningbo dhe Panairit Ndërkombëtar të Importit të Kinës në Shangai. Kreu i dikasterit shqiptar të financave dhe ekonomisë u shpreh se, duke u mbështetur në platformën e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar dhe të shkëmbimeve qeveritare e të biznesit, bashkëpunimi pragmatik shqiptaro-kinez do të ngrihet në një shkallë më të lartë. (Du/Wang Xianya)

Mrekulli
Lajmet Kryesore