BE-ja cakton datën e etapës së ardhshme të zgjerimit

2018-01-10 10:19:26 CRI Komenti juaj Printoni

Bashkimi Europian po përgatitet që të caktojë vitin 2025 si etapën e ardhshme të zgjerimit të bllokut me vende nga Ballkani Perëndimor, theksohet në një artikull të botuar nga EUobserver.

"BE-ja po përgatit të vendosë vitin 2025 si kufirin për etapën e ardhshme të zgjerimit, por mosmarrëveshjet në Ballkan mund ta frenojnë procesin", thekson EUobserver.

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë tani një dritare historike mundësie. Për herë të parë, perspektiva e tyre e anëtarësimit ka hapësirën kohore më të mirë.

Komisioni ka përpiluar një dokument strategjik që pritet të miratohet më 14 shkurt.

"Me vullnet të fortë politik, realizimin e reformave reale dhe zgjidhje afatgjata të mosmarrëveshjeve me fqinjët, Mali i Zi dhe Serbia duhet të jenë gati për anëtarësim në vitin 2025," thotë një projekt-dokument i parë nga EUobserver.

Projekt-dokumenti shton se negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë, Bosnjës, Maqedonisë dhe Kosovës "duhet të kenë shënuar përparim të dukshëm në rrugën drejt BE-së deri atëherë."

Dokumenti shënon një kthesë nga qëndrimi i mëparshëm i kreut të komisionit Jean-Claude Juncker, i cili tha në vitin 2014 se BE-ja nuk do të zgjerohej në të ardhmen e afërt.

Serbia dhe Mali i Zi kanë filluar tashmë bisedimet për anëtarësim, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia shpresojnë që t'i hapin këtë vit.

Bosnja është në prag të marrjes së statusit të vendit kandidat në BE, ndërsa Kosova po merr në konsideratë që të kërkojë formalisht që të caktohet si vend kandidat. (ATSh/Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore