Sukses në bisedimet ndër-koreane, Veriu dhe Jugu bien dakord të mbajnë bisedime ushtarake

2018-01-10 10:00:47 CRI Komenti juaj Printoni

 

Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut përfunduan dialogun e tyre të parë ndërqeveritar në rreth dy vjet.

Sipas ministrit të Bashkimit të Koresë së Jugut, Cho Myoung-gyon, Koreja e Veriut ka rënë dakord gjatë bisedimeve ndër-koreane që të dërgojë një delegacion në Olimpiadën Dimërore 2018.

Bisedimet përfunduan me miratimin nga të dyja palët të një deklarate të përbashkët prej tre pikash që thotë se Koreja e Veriut do të dërgojë delegacionin e Komitetit Olimpik Kombëtar, atletët dhe skuadrat e tifozëve.

Lojërat do të zhvillohen në Pyeongchang të Koresë së Jugut muajin e ardhshëm.

Koreja e Jugut premtoi të sigurojë strehimin për delegacionin e Veriut. Ndërkohë, drejtuesi i delegacionit të Koresë së Veriut, Ri Son Gwon, tha se të dyja palët vendosën gjithashtu të mbajnë bisedime të veçanta ushtarake.

"Jugu dhe Veriu kanë rënë dakord që të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të lehtësuar tensionet ushtarake, duke vendosur paqen në Gadishullin Korean dhe nxitur pajtimin dhe bashkimin etnik. Jugu dhe Veriu ranë dakord se duhet të lehtësohen tensionet ushtarake dhe për këtë, të dyja palët kanë rënë dakord të mbajnë bisedime ushtarake."

Bisedimet e drejtpërdrejta midis dy qeverive u bënë të mundura pas rihapjes javën e kaluar të kanalit të komunikimit mes Koreve në fshatin e armëpushimit Panmunjom.

Ndër zhvillimin e fundit, të dyja palët kanë rihapur gjithashtu një linjë telefonike ushtarake në kufirin detar perëndimor.

Ndërsa bisedimet përfunduan të martën, Koreja e Veriut deklaroi se takimi i nivelit të lartë ishte një sukses.

Në të njëjtën ditë, gjithashtu Ministria e Jashtme kineze e mirëpriti rifillimin e bisedimeve. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore