ShBA-ja, nuk ka fakte për 'sulmet zanore' ndaj diplomatëve amerikanë

2018-01-08 20:17:15 CRI Komenti juaj Printoni

Senatori republikan Jeff Flake thotë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë gjetur prova se diplomatët amerikanë në Havanë ishin viktima të të ashtuquajturave "sulme zanore".

Flake i bëri deklaratat pas takimeve me zyrtarë të lartë kubanë, duke përfshirë Ministrin e Jashtëm, Bruno Rodriguez.

"Ministria e Brendshme e Kubës thotë se FBI-a u ka deklaruar autoriteteve kubane se nuk ka dëshmi të një sulmi zanor, edhe pse termi 'sulm' është duke u përdorur, nuk ka dëshmi për të. Diçka ka ndodhur, por nuk e dimë çfarë ishte. Nuk ka prova se qeveria e Kubës i sulmoi diplomatët tanë këtu".

Senatori Flake i bëri deklaratat në Kubë, ndërsa ndodhet për një vizitë në ishull.

Administrata Trump thotë se mbi dhjetë diplomatë amerikanë dhe familjarë të tyre pësuan humbje të dëgjimit dhe bllokim të veshëve ndërsa ndodheshin në shtëpitë e tyre dhe në disa hotele të Havanës.

Këto pretendime shërbyen për të ngritur akuzat për të ashtuquajturat "sulme zanore", që u përdorën nga administrata Trump për të ndryshuar hapjen që presidenti Obama bëri ndaj Kubës.

Gjithashtu, shumë diplomatë kubanë u detyruan të largohen nga ambasada e tyre në Uashington. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore