FMN i rekomandon qeverisë të marrë masa për të përmirësuar mjedisin

2018-01-07 10:15:14 CRI Komenti juaj Printoni
Edhe pse vitet e fundit niveli i eksporteve shqiptare është rritur vendi ynë mbetet shumë pas vendeve të rajonit përsa i përket vlerës së eksporteve. Në një analizë të bërë për vendet e Ballkanit Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkon që të merren masa për të përmirësuar nivelin e eksporteve në vend. Disa nga sfidat me të cilat përballet biznesi në Shqipëri janë institucionet e dobëta, infrastruktura e dobët si dhe sistemi kompleks i tatimeve.

Shqipëria renditet pas vendeve të rajonit përsa i përket të ardhurave dhe konkurencës në eksporte. Fondi Monetar Ndërkombëtar i rekomandon qeverisë që të ndërhyjë në përmirësimin e mjedisit për prodhimet shqiptare duke e konsideruar si të vetmen mënyrë për të rritur të ardhurat nga eksportet. Në një analizë të eksporteve në vendet e Ballkanit ky institucion i rekomandon Shqipërisë që të marrë masa konkrete pasi rritja e eksporteve janë një element me shumë rëndësi për ecurinë ekonomike në vend.

Në raport FMN rendit një sërë sfidash për të cilat kërkohet të gjendet zgjidhje midis të cilave janë institucionet e dobëta, mangësitë në infrastrukturë, sistemi kompleks i tatimeve, mundësitë e pakta në financim si dhe fuqia punëtore e pakualifikuar. Krahasuar me vendet e rajonit si Maqedonia dhe Serbia vendi ynë vlerësohet më pak konkurues dhe me eksporte në nivel më të dobët.

Sipas raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar Shqipëria është e penalizuar edhe për shkak të llojit të eksporteve të cilat janë të përqendruara në pjesën më të madhe në sektorin tekstil dhe shumë pak në naftë e minerale çka sjell më pak të ardhura krahasuar me vendet e rajonit. Ulja e eksporteve shqiptare gjatë dy viteve të fundit është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimit të naftës dhe mineraleve.

Ndonëse gjatë këtij viti rënia është rikuperuar, Shqipëria mbetet sërish vendi që eksporton më pak në rajon, një tregues që dëshmon konkurueshmërinë e ulët të ekonomisë. Sipas të dhënave të INSTAT gjatë 11 muajve të 2017 eksportet u rritën me 225 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me nëntor 2016 janë Italia,Kosova dhe Spanja. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë Kina dhe Maqedonia.

(Marre nga www.oranews.tv)

Mrekulli
Lajmet Kryesore