Vigjilja e Krishtlindjeve, Betlehemi lutet për paqe

2017-12-25 10:37:02 CRI Komenti juaj Printoni

Qyteti palestinez i Betlehemit në Bregun Perëndimor është një qytet i shenjtë për krishterimin, pasi është vendlindja e Jezu Krishtit. Çdo vit shumë besimtarë të krishterë dhe turistë i kremtojnë Krishtlindjet pikërisht në këtë qytet.

Kryebashkiaku i Betlehemit Anton Salman u shpreh të dielën, në vigjilje të Krishtlindjeve, se tema e sivjetshme e Krishtlindjeve është "Shpresa për një jetë në paqe". Kontradiktat dhe konfliktet në botë janë vazhdimisht në rritje, prandaj shpresojmë që të gjithë të urojnë bashkërisht për paqen, u shpreh Salman.

"Në rastin e Krishtlindjeve sivjet, Betlehemi dëshiron që të gjithë të jetojnë në paqe. Le të pastrojmë shpirtin, të bëjmë thirrje për ndërgjegje dhe humanizëm, të kujdesemi për njëri-tjetrin dhe t'i mbushim zemrat tona me dashuri e lumturi. Për fat të keq, sot në botë kontradiktat dhe konfliktet janë rritur. Vrasjet, terrori, krimi e urrejtja vazhdojnë të përhapen. Për këto arsye, Krishtlindjet na kujtojnë të respektojmë jetën dhe dinjitetin njerëzor, të kemi si mision miqësinë e paqen dhe të heqim dorë nga urrejtja e dhuna. Tani duhet t'u japim fund vuajtjeve të palestinezëve që kanë jetuar në këtë tokë. Kjo tokë e shenjtë bën thirrje për misionin më të madh të njerëzimit: dashuri, paqe e drejtësi, që mund të na çojnë në një jetë më të mirë dhe të lirë në të ardhmen, duke jetuar në një vend të pavarur me kryeqytet Jerusalemin. Gëzuar Krishtlindjet!", tha kreu i Bashkisë së Betlehemit Anton Salman. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore