Bisedimet e paqes për Sirinë, De Mistura: Palët humbën një "mundësi të artë"

2017-12-15 10:36:40 CRI Komenti juaj Printoni

Të enjten në mbrëmje përfundoi në Gjenevë raundi i 8-të i bisedimeve të paqes mbi çështjen e Sirisë pa arritur ndonjë përparim të dukshëm. I dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për çështjen e Sirisë Staffan de Mistura shprehu po atë ditë keqardhjen e tij, duke thënë se të dy negociatorët humbën një "mundësi të artë" për të nxitur procesin e paqes në Siri.

Duke folur në një konferencë shtypi, De Mistura tha se, ndërsa lufta kundër terrorizmit në Siri po përfundon, duhet të diskutohet kalimi nga operacionet ushtarake në gjetjen e një zgjidhjeje politike të krizës në Siri. Por, sipas tij, ky raund i bisedimeve të paqes nuk e hapi këtë proces:

"Jam shumë i zhgënjyer që kemi humbur një mundësi të mirë në fund të këtij viti, një 'mundësi të artë'. Të jem i sinqertë, nuk filluam ndonjë negociatë të vërtetë," u shpreh i dërguari i OKB-së.

Qeveria dhe opozita siriane kishin rënë dakord që të mos vendosnin asnjë parakusht dhe i shprehën idetë e propozimet e tyre mbi këtë bazë. Por, që të dyja palët vendosën si parakusht problemin e statusit politik të presidentit Bashar Al-Assad dhe kjo ishte divergjenca më e madhe gjatë bisedimeve, bëri të ditur De Mistura.

Gjatë këtij raundi të bisedimeve, opozita siriane dërgoi për herë të parë një delegacion të unifikuar dhe deklaroi se ishte e gatshme të zhvillonte bisedime të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e qeverisë siriane. Por, përveç problemit të luftës kundër terrorizmit, delegacioni i qeverisë siriane nuk tregoi dëshirë të sinqertë për dialog me opozitën, tha i dërguari i kreut të OKB-së për Sirinë.

Megjithëse rezultati i këtij raundi bisedimesh nuk është optimist, Staffan de Mistura u shpreh se do të vazhdojë të nxitë procesin e zgjidhjes politike të krizës së Sirisë sipas rezolutës 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, gjë që sipas tij është ajo që pret populli sirian.

Raundi i ri i bisedimeve të paqes për Sirinë pritet të mbahet në janar të vitit të ardhshëm. (Du)

Mrekulli
Lajmet Kryesore