Presidenti i Koresë së Jugut në ditën e dytë të vizitës në Kinë

2017-12-14 09:26:59 CRI Komenti juaj Printoni

Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, nis sot (e enjte) ditën e tij të dytë zyrtare në Kinë, ku do të takohet me homologun kinez Xi Jinping.

Moon mbërriti në Pekin të mërkurën, duke nisur vizitën e tij në një forum mes udhëheqësve të biznesit nga të dy vendet.

Në vizitën e tij të parë shtetërore në Kinë që nga marrja e detyrës në maj, Moon Jae-in shoqërohet nga delegacioni më i madh koreanojugor i biznesit që ka ardhur ndonjëherë në Kinë.

Në krye të axhendës në ditën e tij të parë në kryeqytetin kinez ishte forumi midis udhëheqësve të biznesit nga dy vendet.

Duke ju drejtuar rreth 500 pjesëmarrësve, Moon Jae-in theksoi se tani është koha për të nxitur një epokë të re të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar.

Ai mbërriti në Kinë në Ditën Kombëtare Përkujtimore të Masakrës së Nankinit.

"Sot shënojmë 80-vjetorin e Masakrës së Nankinit. Qytetarët e Koresë së Jugut bashkohen me popullin kinez dhe ndajnë me të të njëjtin hidhërim. Ky vit shënon 25-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike dhe kjo është vizita ime e pestë në Kinë. Gjithmonë surprizohem nga ndryshimet e mëdha në Kinë".

Moon u takua edhe me zëvendëskryeministrin kinez Zhang Gaoli pas mbërritjes së tij në Pekin.

Zhang tha se pala kineze është e gatshme të ruajë lidhjet me Korenë e Jugut.

"Kur shqyrtojmë 25 vitet e marrëdhënieve tona dypalëshe, arrijmë në përfundimin se marrëdhëniet e shëndosha midis Kinës dhe Koresë së Jugut ia janë përmbajtur trendit të historisë si dhe kanë përmbushur aspiratat e përbashkëta të të dy popujve. Miqësia dypalëshe është në shërbim të interesave themelore të të dy vendeve dhe bashkëpunimi çon në përfitime të ndërsjella. Hapa të mëdhenj do të bëhen në partneritetin tonë për sa kohë që të dyja palët vazhdojnë të nxisin besimin e ndërsjellë."

Mrekulli
Lajmet Kryesore