Greqi, Cipras: "Propozimi i Tuskut për kuotat e refugjatëve është i papërshtatshëm"

2017-12-14 20:20:07 CRI Komenti juaj Printoni
Propozimi i presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk për të hequr kuotat e detyrueshme për zhvendosjen e azilkërkuesve në të gjithë Bashkimin Europian është i papërshtatshëm, i parakohshëm dhe i panevojshëm, deklaroi të mërkurën kryeministri grek, Aleksis Cipras gjatë një interviste për televizionin shtetëror ERT3.

Ai shtoi se Greqia nuk do të pranonte asnjë ndryshim në marrëveshjen aktuale dhe se propozimi kishte shumë pak gjasa që të miratohej nga krerët e BE-së në samitin e ardhshëm, në Bruksel.

Gjithashtu, ai kujtoi se në vitin 2015, Greqia është përballur me valën më të madhe të migracionit që prej Luftës së Dytë Botërore.

Duke folur rreth kushteve të jetesës në pesë ishujt e Egjeut Lindor që po strehojnë shumicën e refugjatëve, kryeministri Cipras pranoi se gjendja nuk ka qenë e lehtë për t'u menaxhuar.

"Ne duhet të zbatojmë një marrëveshje të vështirë me procedura objektive e të ndërlikuara dhe që kërkojnë kohë," tha Cipras për televizionin shtetëror grek ERT3. (ATSh/Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore